Të Ushqyerit për 50 Vjeçarët – Kujdes me Yndyrnat
Problemet me shëndetin, siç janë kolesteroli i lartë, tensioni i lartë i gjakut apo diabeti i tipit dy janë tipiket për këtë grupmoshë.
Një dietë e pasur me ushqime që përmbajnë pak yndyrë, ose me nivel të ulët glicemie është mënyra më e mirë për të parandaluar dhe trajtuar këto probleme, sugjerojnë ekspertët e AgroWeb.org.
Femrat dhe meshkujt në këtë fazë të jetës kanë ndryshime hormonale, e cila shoqërohet nga një sërë simptomash, siç janë sëmundjet e zemrës dhe osteoporoza, të gjitha të lidhura ngushtë me nivelin e estrogjenit.
Ndryshimet hormonale përshpejtojnë humbjen e kalciumit nga kockat duke i bërë ato më të brishta.
Është e rëndësishme të kundërveproni dhe të hani të paktën tre racione me ushqime të pasura me kalcium dhe me më pak yndyrë në ditë.
Genet dhe mjedisi janë gjithashtu faktorë në reagimin që trupi ka ndaj një ushqimi. Ushqimet e pasura me fitoestrogjen përfshijnë sojën, farat e linit, bizelet, qiqrrat dhe fasulet.
Duhani dhe stili pasiv i jetesës mund të dëmtojnë kockat tuaja. Ndaj stërvituni. Shëtitjet, ecja e shpejtë dhe ngritja e peshave të lehta janë të rëndësishme për të mbajtur kockat të forta.
Zhvillimi dhe tonifikimi i muskujve mund të rrisin ritmet e metabolizmit. Kjo pasi një masë e zhvilluar muskulore e mban peshën në nivele konstante.
Vazhdoni të pini 6-8 gota ujë ose çajra bimorë në ditë dhe kini kujdes me kafenë. Kafeina mund të ndërhyjë në sasinë e kalciumit që trupi përthith zakonisht.
Nëse nuk arrini të konsumoni të paktën një racion me peshk në javë, duhet të merrni në konsideratë marrjen e suplementëve me Omega-3.
Çfarë duhet të hani?
Stili Mesdhetar i Ushqyerjes. Mënyra Mesdhetare e ushqyerjes bazohet tek frutat dhe perimet të të gjitha llojeve dhe ngjyrave, në mënyrë që të merrni sa më shumë vitamina dhe minerale që i bëjnë mirë zemrës.
Ushqime të tjera të sugjeruara janë drithërat e plota, mishi pa dhjamë, peshku, ushqimet me yndyrna të shëndetshme siç është vaji i ullirit.
Kontrolloni rregullisht nivelin e kolesterolit dhe të tensionit të gjakut dhe konsumoni ushqime që ulin yndyrnat në gjak.
Hiqni dorë nga yndyrnat e ngopura. Me kalimin e moshës, nevoja e trupit për energji bie. Yndyrnat depozitohen në trup nëse marrim shumë kalori dhe nuk i djegim ato gjatë ditës.
Konsumoni ushqime me yndyrna mono-të-pangopura dhe polio-të-pangopura siç janë arrorët, farat dhe vajrat e tyre duke hequr dorë nga yndyrnat e ngopura nga produktet shtazore.
Proteinat Bimore. Konsumoni 15-25 gramë proteinë soje në ditë që të ulni nivelet e kolesterolit. Konsumoni qumësht soje që është i pasur me kalcium, së bashku me drithërat tuaja.
Nëse soja nuk ju pëlqen, zgjidhni burime të tjera të pasura me proteina bimore. Këtu hyjnë thjerrëzat, kikirikët, farat e linit, patatet e ëmbla dhe mashurkat.
Acidet yndyrore Omega-3. Synoni të konsumoni tre racione me ushqime të pasura me Omega-3 në javë, sepse këto acide mbajnë zemrën dhe kockat të shëndetshme.
Mos harroni salmonin dhe sardelet, qofshin këto të konservuara. Burime të tjera të pasura me Omega-3 janë vezët dhe farat e linit./AgroWeb.org