Nga kualifikimi në Euro2024, te renditja e FIFA-s, ja pse ishte i rëndësishëm suksesi ndaj Polonisë
Suksesi historik ndaj Polonisë, i pari ndaj kësaj skuadre, që merr pjesë rregullisht në Botërore dhe Evropiane, i jep Kombëtares shqiptare edhe të tjera bonuse. Po cilat janë përfitimet?
Së pari, përveçse e afron ndjeshëm me Evropianin e vitit të ardhshëm, Shqipëria mund të besojë edhe për vendin e parë në grup, çka do të thoshte një bonus i madh pastaj në shortin e grupeve të Euro2024. Dhe shanset janë, ku një fitore ndaj Çekisë thuajse u jep vendin e parë kuqezinjve.
Së dyti, pas katër rezultateve radhazi pozitive, 3 fitore dhe një barazim, sidomos me dy sukseset e fundit, Shqipëria, që ndodhet në vendin e 65-të në renditjen botërore, pritet minimalisht të fitojë 5-6 vende. Dhe nëse kuqezinjtë minimalisht barazojnë me Çekinë dhe fitojnë dy ndeshjet e fundit në grup, në fund të vitit Shqipëria mund të fitojë deri në 15 vende, pra të renditet e 50-a.
Në renditjen e UEFA-s, Kombëtarja shqiptare do të renditej afër vendit të 30-të. Kjo përkthehet një vazo më lart në eliminatoret e ardhshme, sidomos nëse arrihet vendi i parë në grup.
Përfitimet janë edhe në anën financiare. Kualifikimi në “Euro2024” sjell në arkat e FSHF-së rreth 15 milionë euro. Jo pak për një federatë modeste si e jona, e cila do të kishte mundësi të përmirësonte infrastrukturën, si dhe të investonte në ekipet zinxhirë.
Ndërkohë, shumica e kuqezinjve do të kishin vëmendjen e klubeve prestigjoze dhe aktivizimi me to do të rriste edhe më shumë eksperiencën e dhe pjekurinë, që i shërbejnë në të ardhmen ekipit kombëtar.
()