Përurohet shkolla e re “Lekë Gjiknuri”, Veliaj uron nxënësit: Hapim 9 shkolla dhe 5 kopshte të reja
Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi të gjithë nxënësit nga shkolla e re “Lekë Gjiknuri”, e cila hapi dyert sot për nxënësit e Njësisë 8. E ndërtuar në ish-godinën ku më parë ishin vendosur zyrat e UKT-së, kjo shkollë ofron të njëjtën cilësi dhe standarde, ashtu si 40 shkollat e tjera të hapura në Tiranë një vit më parë. Veliaj u shpreh se “Lekë Gjiknuri” është një nga 9 shkollat e reja që i shtohen këtë vit Tiranës, si dhe 5 kopshteve të reja, që po ashtu kanë pritur fëmijët për herë të parë këtë shtator.
“Shumë faleminderit të gjithëve, por mbi të gjitha për ata që sot janë shqetësuar që kjo shkollë dhe 400 institucione të tjera të përfundojnë në kohë. Kam një falënderim nga zemra për ndërmarrjen tonë të Aseteve dhe Ndërtesave Publike, për kolegët që janë marrë me pastrimin, higjienën, dezinfektimin, dezinsektimin, deratizimin dhe një mirënjohje të jashtëzakonshme për inxhinierët dhe projektuesit, që kanë ndjekur detajet e fundit, që jo vetëm kjo shkollë, por edhe 9 të tjera, plus edhe 5 kopshte, të hapen në kohë, që Tirana të gëlonte nga jeta dhe hareja e fëmijëve,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se sot nis një fillim i ri për 170 mijë nxënës, të cilëve u uroi një sukses si ai i kombëtares së futbollit mbrëmjen e kaluar. “Dje patëm një super rezultat të kombëtares sonë, të cilët na bënë të ndihemi shumë krenarë, na ngritën zemrat peshë me atë rezultat. Sot në fushë ka zbritur një kombëtare tjetër, e cila nuk i ka ndeshjet 90 minuta, por në afatgjatë do të duhet që ta çojë vendin më përpara. Nëse kombëtarja e futbollit na jep gëzim dhe e ka fokusin te sporti, tek imazhi i vendit, kombëtarja e nxënësve, është një kombëtare që duhet të zgjidhë jo vetëm çështje të sportit, të flamurit dhe të dinjitetit kombëtar, por edhe çështje të ekonomisë, financave dhe çështje të turizmit e mjediset, për të cilat punoi aq shumë edhe profesori i nderuar Lekë Gjiknuri. Ndaj, për kombëtaren e 170 mijë nxënësve që kanë zbritur në fushë për fitoren e tyre, do duhet që të brohorasim po aq sa edhe për kombëtaren tjetër,” tha ai.
Një falënderim të veçantë kreu i Bashkisë e kishte edhe për të gjithë punonjësit me uniformë, që u kujdesën që dita e parë e mësimit të niste normalisht në të gjitha shkollat e vendit. “Kam një falënderim të veçantë edhe për policët e qytetit të Tiranës, Policinë bashkiake, Policinë Rrugore, Policinë e Shtetit. Kanë qenë të pranishëm në çdo shkollë, çdo kryqëzim, ku ne kemi pasur fluks për vajtjen në shkollë. I falenderoj me zemër! Nuk duhet të harrojmë që një polic ose një police është gjithashtu prind, ka fëmijët e tij për të çuar në shkollë. Por fakti që sot mbi 500 trupa kanë qenë në të gjitha institucionet arsimore, e ka bërë këtë ditë të parë të shkollës një nga ditët që ka shkuar më qetë dhe me trafikun më të ulët. Kemi pasur zero incidente dhe për këtë meritojnë gjithë respektin tim. Polica Rrugore, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë qenë kudo sot për të dhënë mesazhin se siguria e fëmijëve është gjëja më e rëndësishme,” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se shkolla e re është një bizhu në këtë zonë, ku bashkë më ndërhyrjet e tjera infrastrukturore të kryera nga bashkia, është rritur vlera e pronës. “Kemi 2.432 m2 ndërtim, 9 klasa mësimi dhe një klasë parashkollore. Kemi po ashtu laborator të fizikës, biologjisë, kimisë dhe informatikës, përveç klasave të bollshme. Ne do të respektojmë parimet e BE për jo më shumë se 30 nxënës në klasa. Shkolla ka bibliotekë, ka palestër, ka terrene sportive. Ndaj, mezi pres që edhe këtë vit, që Tirana është Qyteti Europian i Sportit, ju të futeni për të herë të parë në gara dhe po ashtu t’i japim mundësinë edhe komunitetit ta përdorë këtë palestër,” u shpreh më tej ai.
Veç shkollës “Lekë Gjiknuri” në Tiranë këtë vit hapin dyert për nxënësit edhe 8 shkolla të tjera: “26 Nëntori”, “Xhezmi Delli”, “Asim Vokshi”, “Besnik Sykja”, “Bedri Llagami”, gjimnazi ikonik “Partizani”, shkolla “Musine Kokalari” dhe “Emin Duraku”.