FOTO/ Buzëqesh Italia, “azzurët” shërohen përballë Ukrainës, Frattesi bën heroin. Spalletti: Kemi pasur presion total
Të shtyrë nga 50 mijë tifozë në “San Siro”, Italia nuk gabon përballë Ukrainës, siguron një tre pikësh të artë pas suksesit 2-1. Luciano Spalletti dhe stafi i tij marrin pak frymë, pasi çdo përfundim tjetër do të ndërlikonte jo pak objektivin e vetëm, të sigurojnë një biletë për në “Euro2024”. Njeriu i ndeshjes për përfaqësuesen “azzurre” ishte Davide Frattesi, autor i një “dopiete”.
Mesfushori i Interit gjeti golin e avantazhit në minutën 12-të, ndërsa 29-tën përfitoi nga një “ping-pong” në zonë duke dyfishuar shifrat. Ukraina u rikthye në lojë në fundin e pjesës së parë teksa Yarmolenko ngushtoi shifrat në 2-1 duke bërë që sfida të ishte e hapur deri në fund. Pjesa e dytë prodhoi disa episode si shtylla e Locatelli, por pa mundur të ndryshojë shifrat, me Italinë që del me pikë të plota duke marrë vendin e dytë në Grupin C me 7 pikë, po aq sa Ukraina, por me një ndeshje me pak, dhe minus 6 pikë nga Anglia kryesuese:
“Duhet të jemi të lumtur, por duhet të kemi më shumë kualitet, duhet të kishim bërë golin e tretë apo të katërt. Tani mund të punojmë më të qetë pasi këto ishin 20 ditë me presion total”, u shpreh Spalletti pas ndeshjes.
“Buzëqesh Itali”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Jemi gjallë”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.
()