Thu, Nov 28, 2024

Qeveria ‘braktis’ landfillin e Sharrës, Bashkia miraton 5.6 milionë euro shtesë

  • PublishedSeptember 16, 2023

Mes kundërshtimeve dhe akuzave të opozitës, shumica socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës ngriti kartonat jeshilë për të miratuar kërkesën e kryebashkiakut Erjon Veliaj për një fond shtesë prej rreth 600 milionë lekësh për landfillin e Sharrës, me argumentin se ‘ndodhemi tashmë në kushtet e emergjencës’.

Sipas relacionit, pagesa do të përdoret për të shlyer detyrimet e prapambetura që bashkia ka ndaj kompanisë koncesionare, e cila u sekuestrua me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe tani administrohet nga Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.

“Aktualisht, Bashkia Tiranë ka ezauruar të gjithë planin buxhetor të vitit 2023 për këtë shërbim, planifikuar sipas angazhimit përkatës,” thuhet në relacionin e shkurtër që shoqëron vendimin, ku nënkuptohet se detyrimet e tjera duhej të mbuloheshin përmes mbështetjes së qeverisë.

“Referuar sa më sipër dhe në kushtet e emergjencës, përballë njoftimit nga shoqëria për ndërprerjen e shërbimit të depozitimit të mbetjeve, në rast të mos shlyerjes së detyrimeve, lind e nevojshme që Bashkia e Tiranës të mbulojë nga të ardhurat e veta detyrimet për këtë kontratë…,” shtohet më tej në relacion.

Relacioni bën me dije se në periudhën gusht- shtator, bashkia e Tiranës ka komunikuar me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Brendshme për të siguruar fondet e nevojshme për pagesat, por nuk shpjegon se pse ishin bllokuar këto fonde.

Edhe kryebashkiaku nuk dha një përgjigje para Këshillit Bashkiak të premten, ndërsa i kaloi pyetjet dhe akuzat e opozitës me batuta dhe rromuze. Duke paraqitur si argument që Bashkia e Kavajës e kontrolluar nga opozita i kishte kryer pagesat në gusht, Veliaj ironizoi opozitën për hipokrizi.

“Siç vajtët me tanga, me reçipeta, me rroba banjo, më 22 gusht ta paguani, tani ne që jemi të veshur me kostum do shkojmë ta paguajmë, sepse nuk mund ta lëmë dot Tiranën në dorë të zhulsave,” tha ai.

Kompania Integrated Energy B.V SPV u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë i ka faturuar bashkisë së Tiranës dhe bashkive të tjera të qarkut mbi 62 milionë euro, por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.

Pavarësisht kësaj, qeveria dhe bashkitë e qarkut të Tiranës i vazhduan të plota pagesat deri në prag të sekuestrimit të kompanisë koncesionare nga SPAK në fillim të gushtit – kur administratori i ri  shtetëror, Arjan Baci deklaroi se ishin akumuluar borxhe.

“Bashkitë e qarkut Tiranë janë akoma debitorë te kjo shoqëri, po bëhet muaj i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet,” tha Baci më 10 gusht, ndërsa paralajmëroi se kjo cënonte menaxhimin e mbetjeve të kryeqytetit dhe bashkive rreth tij.

Kontrata koncesionare e trajtimit të mbetjeve në Tiranë financohet nga bashkia dhe buxheti i shtetit, i cili i transferon fondet në bashkinë e Tiranës përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila mban gjithashtu edhe rolin e Autoritetit Kontraktor.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Ministrinë e Financave tregojnë se ndonëse mbështetja financiare nga qeveria u parashikua në vlerën e 1.2 miliardë lekëve për vitin 2023, fondet e miratuara të pagesave faktike ishin gati 3 herë më të vogla ose 464.4 milionë lekë për të njëjtën periudhë.

Ministria e Financave tha gjithashtu se nuk ishte ai institucioni që i kishte shkurtuar fondet për financimin e kontratës koncesionare, por e drejtoi gishtin ndaj autoriteti kontraktor, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Të njëjtin qëndrim, Ministria e Financave e ka mbajtur edhe në një përgjigje për Bashkinë e Tiranës më 4 shtator, e cila citohet në relacionin e dorëzuar në Këshill Bashkiak se: “Në momentin e vështirësive financiare nga ana e Bashkisë Tiranë, Autoriteti Kontraktor (MIE) është përgjegjës për garantimin e fondeve për kryerjen e pagesave…”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN mbi arsyet e shkurtimit të fondeve.

Kryebashkiaku Erion Veliaj gjendet prej kohësh në qendër të akuzave të kundërshtarëve politikë për rolin e tij në miratimin e koncesionit të mbetjeve në Tiranë dhe vazhdimin e pagesave prej 29 euro/ton, ndonëse incenerimi nuk kryhej. Ai e la sallën e Këshillit të premten në darkë pa dhënë sqarime të tjera, kur u përball me akuzat e këshilltarëve opozitarë, të cilët iu drejtuan atij ironikisht si “Zoti Qelia”. As nënkryetari i Bashkisë që e zëvendësoi, Andi Seferi, nuk iu përgjigj pyetjeve të këshilltarëve të opozitës.

Një listë e gjatë me pyetje nga , që kërkonte shpjegime mbi këtë shpenzim shtesë  dhe një bilanc të bashkisë me kompaninë që menaxhon landfillin nuk mori gjithashtu përgjigje.

Seferi tha se pyetjet u morën shënim dhe këshilli do të informohej në të ardhmen, pavarësisht se votimi u krye brenda natës.