Fri, Nov 29, 2024

Edicioni i 5-të Balfin Innovation Summit, ide novatore në marketing, sistemin bankar & tregjet financiare

  • PublishedSeptember 16, 2023

Pesë ide nga punonjës të Grupit BALFIN u prezantuan në finalen e edicionin e pestë të Balfin Innovation Summit. Kultura e brendshme e novacionit në kompanitë e Grupit BALFIN sjell natyrshëm nxitjen e ideve të reja dhe ky aktivitet është pika e takimit me drejtuesit që mund t’i japin jetë secilit prej projekteve të guximshme.

Presidenti i Grupit, Samir Mane, në fjalën e tij përshëndetëse u konfirmoi pjesëmarrësve se idetë e reja janë ato që e kanë sjellë suksesin e BALFIN në këto 30 vite. “Risitë që na presin në të ardhmen janë ato që na shtyjnë përpara. I uroj suksese të gjithë konkurrentëve. Fituesi i vërtetë mbetet Grupi BALFIN që ka novatorë si ju në mesin e tij.”

Juria e përbërë nga Matilda Shehu, që Drejtuese e Transformimit në Grupin BALFIN, Ervin Kajno, Drejtues i Projekteve e Reja po në Grupin BALFIN, dhe Ivan Pribićević, Drejtor Ekzekutiv i Simplify, vlerësuan BPZ Investment Services nga Krisian Zavalani si idenë më novatore të këtij edicioni të pestë. Ky propozim u vlerësua si ideja novatore me impaktin më të madh që kthen vlerë në kohën më të shkurtër.

Edlira Muka, Drejtoreshë Ekzekutive e Grupit BALFIN, shprehu optimizmin për cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të propozuara nga punonjësit. “Hapat e vegjël sjellin ndryshime të mëdha. Jemi të privilegjuar të punojmë në një mjedis ku të gjithë ne mund të bëjmë ndryshimin, për kolegun që është pranë nesh, për klientët që po u shërbejmë, për partnerët tanë të biznesit.”

Përveç projekt-idesë fituese, që propozon mundësinë e investimeve të likujditeve në tregjet financiare, projekte të tjera që u kualifikuan dhe prezantuan në ceremoninë finalë ishin:
“Creating Tirana’s Card Poëer Platform” që ofron zgjidhje për krijimin e një platforme për pagesa nëpërmjet smart-phone; “Influencia⚡️” një platformë teknologjike marketingu që ndihmon bizneset të ndërtojnë partneritetet e duhura me influecera; “Transforming Tirana Bank – Your Fast Track to Funds”, propozoi një zgjidhje të re digjitale për huamarrje të përshpejtuar në Tirana Bank; “Happy Pay”, një projekt-ide që kombinon programin Happy me një portofol digjital duke lehtësuar dhe digjitalizuar pagesat.

Që nga 2019, Balfin Innovation Summit është traditë e përvitshme që fton të gjithë punonjësit e Grupit BALFIN të propozojnë zgjidhje të reja ose formimin e kompanive start-up. Programi ngrihet mbi një nga vlerat e Grupit BALFIN, pikërisht novacionin, ku ndikimi i punonjësve në ecurinë e kompanive arrin majën me projekte për kapërcimin e problematikës aktuale dhe madje krijimin e modeleve të reja të biznesit.
Tashmë ky organizim simbolizon ndërthurjen mes një përvoje 30-vjeçare të profesionistëve dhe novacionit si vlerë themelore e Grupit BALFIN.

AlbaniaWeb.net