Tue, Nov 19, 2024

“Tunden letrat sipas qejfit”, Teliti e Braimllari ngrenë shqetësimin: Studentët në radhë që në 4 të mëngjesit për një krevat në konviktet e Tiranës

  • PublishedSeptember 20, 2023

Nënkryetarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës Dorian Teliti dhe Endrit Braimllari kanë denoncuar sot mënyrën e shpërndarjes së hapësirës për studentët në konviktet pranë ‘Qytet Studenti’.  Sipas Telitit, përems disa denoncimeve i është thënë që nuk respektohet radha për ndarjen e krevateve.

“Sot përballemi me dhuratën e radhës së Veliajt. Që në orën 4 të mëngjesit me dhjetra e qindra studentë kanë mbajtur radhën për të zënë një krevat në godinën e konviktit.

Çfarë ka ndodhur? Abuzimi nga ata që shpërndanin fletushkat. Ia jepnin atyre që kishin rënë dakord, jo sipas radhës. Punonjësit e bashkisë, mesa duket me urdhër nga lart i shpërndajnë ata sipas qejfit si në një vend të Afrikës ku shpërndahen ilaçet.

I bëjmë thirrje kryetarit të Bashkisë dhe drejtoreshës së godinës të respektojnë procedurë ligjore. Afatet ishin të shpallura. Erion Veliaj nga njëra anë krenohet se e ka bërë Tiranën kryeqytet të rinisë, po rinia nga ana tjetër rri në 4 të mëngjesit në radhë dhe nuk merr dot një shtrat për vitin e ardhshëm akademik.

Qarkullon një video ku nuk shpërndaheshin sipas radhës, po një punonjës i bashkisë i tundte letrat dhe i shpërndante sipas dëshirës. Ku jemi këtu ne?”, tha Teliti.

Sakaq, Braimllari akuzoi drejtpërdrejt kryebashkiakun se ky kaos në fakt, sipas tij, “bëhet thjeshtë për të thelluar korrupsionin dhe për të vendosur një autoritet për të thënë ‘ligji jam unë, bëni çfarë të doni!’

“Kaosi që ka sjellë sot drejtori përkatës si kësaj rezidence, thjeshtë rrit dhe thellon korrupsionin në këtë drejtim. Erion Veliaj ka një alergji të thelluar ndaj arsimit. Hoqi 4.3 mln euro nga arsimi dhe i çoi te inceneratori i Tiranës. Kjo gjë bëhet thjeshtë për të thelluar korrupsionin dhe për të vendosur një autoritet për të thënë ‘ligji jam unë, bëni çfarë të doni!’”, tha nënkryetari i këshilltarëve të Partisë së Lirisë.

AlbaniaWeb.net