Mon, Sep 23, 2024

Pensioni përballë inflacionit (infografik)

  • PublishedSeptember 21, 2023

Qeveria shqiptare njoftoi se do të rrisë pensionet me 8.6% duke filluar nga shtatore, një rritje kjo që synon të rivendosë pensionistët në të njëjtën gjendje ekonomike si më parë, duke i kompensuar atyre rritjen e çmimeve. E megjithatë, pavarësisht se kjo lëvizje, e njohur në gjuhën teknike si “indeksim”, pra që kompenson inflacionin pa rritur të ardhurat reale të pensionistëve, pritet të ketë, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, një kosto prej 3.2 miliardë lekësh këtë vit dhe 12.1 miliardë lekë vitin 2024. Dhe për më shumë, rritja prej 8.6% ka gjasa që nuk do t’i mjaftojë pensionistit mesatar që të blejë me pensionin e tij të njëjtën sasi ushqimesh që blinte si edhe më parë. Kjo për shkak se qeveria i indekson pensionet duke marrë parasysh ecurinë e përgjithshme të inflacionit në ekonomi ndërkohë që konsumi i pensionistëve dukshëm është i përqendruar te pak mallra të cilat kanë pësuar rritje më të lartë se sa inflacioni mesatar.

Kështu, sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën shtator 2022-gusht 2023, inflacioni mesatar ishte 6.1%, shifër kjo më e ulët se sa rritja me 8.6%. Por brenda inflacionit të përgjithshëm, inflacioni i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” ishte 11.8%. Me pak fjalë, pensionisti me pensionin e ri do të jetë në gjendje të blejë më pak mallra se sa blinte me pensionin e vjetër vitin e kaluar. Jo vetëm kaq: Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, për nga vetë emri, përfshin edhe pijet joalkoolike, të tilla si pijet freskuese. Nëse supozojmë se grupimet e varfra të popullsisë, siç janë pensionistët, heqin dorë nga këto të fundit për të përqendruar paratë që kanë vetëm te ushqimet, atëhere shohim se grupi “Ushqime” pa pijet joalkoolike, ka pësuar rritje me 12.4%. Do të thotë që me rritjen 8.6% të pensionit, pensionistët do të mund të blejnë 3.8% më pak ushqime.

Brenda grupit të ushqimeve, ushqimet për të varfrit, të tilla si buka, bulmeti, apo vajrat kanë pësuar rritje më të lartë se sa ushqimet në tërësi.

Pensionistët në Shqipëri ndahen në dy kategori të mëdha: pensionistë urbanë dhe pensionistë ruralë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të ardhurat mesatare të pensionistit të qytetit në vitin 2022 ishin 18,615 lekë në muaj ose 612 lekë në ditë ndërsa të ardhurat mesatare të pensionistit të fshatit ishin 10,888 lekë në muaj ose 358 lekë në ditë.

Pensionistët nuk kanë njohur rritje reale të të ardhurave tashmë që prej një dekade. Por skema kombëtare e pensioneve ka njohur përkeqësim të vazhdueshëm për shkak të rritjes së fortë të numrit të pensionistëve përkundrejt rritjes ekonomike të pamjaftueshme.