“Anti-amerikan që mishëron putinizmin”, Salianji: Basha po aq i njollosur nga SHBA sa Berisha, por nuk sjell të njëjtat vota
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit rreth PD-së.
Salianji u shpreh kundër Lulzim Bashës, duke thënë se ky i fundit është po aq i njollosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aq sa Sali Berisha për shkak se ka një çështje për financimin rus ende të pasqaruar.
Megjithatë ai u shpreh se në këtë rast Berisha është faktori që sjell më shumë vota, ndaj edhe është e domosdoshme që ish-kryeministri të jetë pjesë e formacionit opozitar për të bërë të mundur ndryshimin e qeverisjes.
Sipas tij Basha ka mishëruar vlerat e “putinizmit” me veprimet që ka kryer pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike.
“Shqipëria dhe PD kanë nevojë që SHBA të jetë këtu edhe si garant dhe për ruajtjen e balancës mes pushteteve. SHBA ka dhënë kontribut pozitiv në të shkuarën dhe mendoj se duhet të jetë garanci e përhershme. Unë besoj te disa parime që SHBA i mishëron më shumë. Unë nuk i vendos përgjegjësi të tjerëve që kanë luajtur me ne. Nuk na e kanë fajin as SHBA, as BE.
Ky qëndrim duhet të ndiqet nga elektorati, por nëse ky i fundit nuk e ndjek dhe i jep 500 mijë vota Berishës, unë s’mund të bëhem shërbëtor i Edi Ramës. Për mua është e domosdoshme që Berisha të jetë pjesë e formacionit opozitar për të bërë të mundur ndryshimin e qeverisjes.
Nëse ka një njeri më antiamerikan që mishëron vlerat e putinizmit, ai është Lulzim Basha. I vetmi njeri në këtë vend që ka akuzë nga shërbimet e SHBA për financim rus të pasqaruar. Këtu ka vetëm një qëndrim, një njeri njësoj i njollosur nga SHBA, por nuk ka të njëjtat vota si Berisha. Këtu janë në të njëjtën situatë”, tha ai.