Balla në Komisariatin e Kamzës: Rrisim sigurinë publike dhe rrugore përmes sistemit të kamerave dhe inteligjencës artificiale
Në bashkinë e Kamzës është ngritur e ka nisur funksionim një sistem i plotë i monitorimit të territorit me kamera, të cilin e ka në përdorim Policia e Shtetit për të rritur parametrat e sigurisë.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, kryetari i Bashkisë Rakip Suli dhe drejtues të lartë e vendor të Policisë panë nga afër Sallën Operative ku monitorohen pamjet e kamerave.
Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj shpjegoi se kamerat e instaluara lexojnë gjithashtu targat e mjeteve, kur janë ‘alert’ apo i përkasin një mjeti tjetër.
Ministri Balla tha se duhet mbyllur e plotësuar sistemi i vëzhgimit të perimetrit të shkollave.
”Kemi rënë dakord dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që investimi që pritet të fillojë vitin e ardhshëm edhe aty, pastaj e kemi të thjeshtë të integrojmë Tiranën e Kamzën, sepse persona me aktivitet kriminal spostohen në Kamzë dhe anasjelltas, e me këto kamera kemi mundësi ti ndjekim.
Pastaj të vijojmë më Durrësin, Vlora e ka ndërkohë sistemin të implementuar. Duhet që në një kohë të shkurtër, një mjet në kërkim ta dedektojmë në cilën pjesë të territorit ndodhet. Rrugët kombëtare po bashkëpunojmë ne ARRSH, të kenë kamera. Sa i përket perimetrit të sigurisë në shkolla, kamerat janë ndihmesë e madhe”, u shpreh Balla.
Shefi i Komisariatit të Kamzës Oliger Torba informoi se prej 20 ditësh, bazuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të PSH po bëhen mbivendosje e shtesë të disa kamerave brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.
Eksperti shpjegoi se sistemi dedekton edhe zhurmat si dhe njoftimin për gjobat.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku konfirmoi se investimi i Bashkisë Kamzë është më i miri për monitorimin në shkallë vendi, që i shërben më së miri banorëve dhe përfshin nivelin e sigurisë ku kontribuojnë të gjithë aktorët dhe faktorët.