Disfata në Laç shkund Vllazninë, zbardhet diskutimi i Memellit dhe Balajt: Nuk duhej të ktheheshim në mbrojtje
Humbja me përmbysje ndaj Laçit “djeg” ende në kampin shkodran. Vllaznia e nisi me gol, por në fund nuk mori asnjë pikë dhe natyrisht kjo duket e pafalshme për një skuadër që pretendon të jetë në majën e renditjes.
Ishte humbja e parë në këtë kampionat dhe stafi teknik me në krye trajnerin Migen Memelli kanë menduar që t’i bëjnë një analizë të detajuar momenteve ku gaboi skuadra. Stafi teknik ka kërkuar llogari nga lojtarët për humbjen e përqendrimit në fundin e pjesës së parë dhe mungesën e reagimit në 45 minutat e dyta.
Mirëpo, “Panorama Sport” zbulon nga burime pranë skuadrës se kritikat e trajnerit nuk kanë gjetur miratimin e të gjithë lojtarëve titullarë. Mësohet se pikërisht kapiteni dhe njëkohësisht sulmuesi kryesor i skuadrës, Bekim Balaj, gjatë diskutimit në analizë me trajnerin, i kërkoi në një farë mënyre edhe “llogari” këtij të fundit për strategjinë që ndoqi në momentin kur Vllaznia ishte në avantazh.
“Pas shënimit të golit mendoj se nuk duhet të tërhiqeshim në mbrojtje dhe të ruanim rezultatin. Kjo nuk na shkon përshtat, pasi i dhamë më shumë hapësira kundërshtarit. Ekipi e ka më të vështirë për të bërë një gjë të tillë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Balaj gjatë diskutimit me trajnerin. Nga ana e tij, Memelli ka kërkuar të “testojë” grupin, duke kërkuar arsyet e gabimeve që sollën këtë humbje. Ai i bëri një analizë të hollësishme asaj që ndodhi dhe çfarë kërkohet që të rregullohet për takimin e radhës me Teutën. Koha nuk pret dhe Vllaznia zbret sërish në fushë, pasi ndaj durrsakëve luhet të shtunën ora 20:15 në “Loro Boriçi”.
PRECEDENTËT – Vllaznia ka vuajtur në këto katër javë të para të kampionatit cinizmin që duhet të ketë një skuadër për të mbyllur ndeshjet dhe mos vuajtur deri në fund. Nëse në javën e parë ndaj Kukësit gjithçka shkoi mirë, në ndeshjet e tjera kundër Erzenit, Partizanit dhe Laçit, problemet kanë qenë evidente. Në tri nga katër ndeshje kuqeblutë kanë kaluar në avantazh, por janë barazuar dhe përmbysur. Vetëm ndaj Kukësit arritën të dilnin me tri pikë pas barazimit të përkohshëm të verilindorëve në javën e parë.
Në duelin ndaj Partizanit, që u mbyll me shifrat 0-0, shkodranët nuk ditën të shfrytëzonin epërsinë numerike që kishin për 83 minuta lojë, me të kuqtë që luajtën me 10 lojtarë. Në vend që kuqeblutë të diktonin lojën, ndodhi e kundërta dhe ky ishte një sinjal domethënës, pasi për fat të keq u pasua me humbjen në Laç. Nga avantazhi në disavantazh, pra nga një start i mirë i çdo takimi në një fund të hidhur. Gjithsesi, ky është vetëm fillimi i kampionatit dhe kalendari është i ngjeshur, por mjafton një fitore ndaj Teutës për të kthyer situatën në Shkodër. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë ndryshimet nesër, për më tepër që pritet mungesa për dëmtime./Panorama Sport