Fri, Nov 29, 2024

Partizani rikthehet frikshëm, thyen Dinamon në derbi, Da Silva dhuron show. “Nëndetësia” e Di Biagios zhytet drejt fundit të ftohtë

  • PublishedSeptember 22, 2023

Derbi i kryeqytetit, Dinamo City-Partizani “vishet” i kuq. “Demat” rikthehen fuqishëm në garë duke thyer Dinamon me rezultatin 3-1.

Një fitore me shumë peshë që vjen pikërisht përpara derbit të madh kundër Tiranës. Nuk ka shpëtim për Dinamon, me “nëndetësen” që zhytet gjithnjë e më shumë drejt fundit të ftohtë. Në “Elbasan Arena” të dy ekipet zbritën me frikë në fushë, dhuruan pak futboll në pjesën e parë, pak raste për shënim. Situata ndryshoi totalisht në pjesën e dytë, mbi të gjitha pasi trajneri Zekiç hodhi në fushë “rebelin” Da Silva.

Në minutën e 58-të ishte pikërisht Da Sila që dhuroi një asist të pastër për Bintuska me këtë të fundit që nuk fali brenda në zonë duke kaluar Partizanin në avantazh.

Të kuqtë kishin kontrollin e lojës dhe në minutën e 78-të, Rrapaj me një ekzekutim fantastik dërgoi shifrat në 2-0. Në të 83-tën ishte Da Silva që hipotekoi këtë fitore duke dërguar rezultatin në 3-0, një rikthim i fuqishëm ky për sulmuesin e Partizanit.

Goli i Kaçorrit në fund, nga pika e bardhë e penalltisë vlen thjesht për statistika. Festa ishte e gjitha e kuqe me Partizanin që shijon këtë sukses në derbi dhe i dërgon një sinjal të qartë Tiranës, për momentin ndodhen dy pikë larg bardhebluve, por me një ndeshje më pak.

AlbaniaWeb.net