Jurida Bajraktari kalon vetingut pas trajnimit në Shkollën e Magjistraturës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën më 25 shtator vendimin për konfirmimin në detyrë të ndihmëses ligjore prane Gjykatës Administrative të Apelit, Jurida Bajraktari, pas përfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në Shkollën e Magjistraturës si pasojë e mungesave profesionale.
Më 20 korrik 2022, pas përfudimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, Komisioni vendosi të pezullojë nga detyra Bajraktarin, si dhe e detyroi atë që të ndiqte programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, për shkak se konkludoi se ajo kishte mangësi profesionale.
Kryesuesja e trupës se KPK, Genta Tafa Bungo sqaroi se Shkolla e Magjistraturës ka vlerësuar se subjekti i ka tejkaluar mangësitë profesionale dhe se ka arritur rezultate të mira.
Për rrjedhojë, Komisioni vendosi konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi.
Bajraktari ka filluar punë në Gjykatën Administrative të Apelit në prill të vitit 2016 dhe kishte plotësuar deklaratat për efekt të vetingut në janar 2017. Më herët, ajo kishte punuar si juriste në kompani private, si dhe ka deklaruar se kishte dhënë ndihmë juridike vullnetare.