Rama shpall fitoren e zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë Kukës
Kryeministri Edi Rama shpalli të hënën fitoren e partisë së tij për bashkinë Kukës, disa orë para se numërimi i votave të përfundonte.
“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3000 votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”, shkruajti Rama në rrjetet sociale.
Kandidati socialist, Albert Halilaj, fiton bashkinë veriore, pavarësisht skandalit që përfshiu paraardhësin e tij të sapozgjedhur në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së deri në mesditë, kandidati i PS-së, Albert Halilaj kryesonte me 63.50% të votave, ndërsa kandidati koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Emri Vata, 36.50 %.
Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 45.56 për qind të zgjedhësve të raportuar në Qendrat e Votimit.
Zgjedhjet u përsëriten të dielën, pasi kryebashkiaku Safet Gjici, u shkarkua vetëm pak javë pasi ishte rizgjedhur për një mandat të dytë. Ai humbi mandatin pas publikimit të një videoje që e ekspozonte duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë dhe u arrestua pak ditë më vonë me akuzën e “korrupsionit pasiv” dhe është aktualisht në arrest me burg.
Ky qytet është konsideruar si një bastion i demokratëve dhe është qeverisur nga socialistët vetëm tre herë gjatë tre dekadave të fundit, përfshi zgjedhjet pa garë të vitit 2019.
Qarku i Kukësit është ndër më të varfrit në Shqipëri dhe vazhdon të eksportojë një numër të lartë emigrantësh, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një anketimi të organizatës Swisscontact, popullsia e Kukësit ka rënë me 13% gjatë dekadës së fundit dhe gati 37% e banorëve të mbetur po planifikojnë gjithashtu të emigrojnë.