“Luftë” totale me ten Haag, United nuk lejon Sanchon as në mensë
Të blesh një futbollist 100 milionë euro dhe të mos e lësh të përdorë as ambientet e klubit. Ky është rasti i Manchester United me sulmuesin Jadon Sanco, që e larguar edhe nga mensa. Lufta e nisur që në fillim të sezonit me trajnerin Ten Hag e ka detyruar klubin anglez ta dëbonte futbollistin nga ekipi i parë.
Ai po stërvitet i vetëm dhe tani, veç kësaj, do t’i duhet të jetojë me futbollistët e akademisë. Ndërsa të gjithë shokët e tij të skuadrës hanë darkë së bashku, Sancho do të duhet ta bëjë këtë me ekipin nën 23 vjeç. Sulmuesi anglez nuk mund të rikthehet me ekipin e parë derisa t’i kërkojë falje trajnerit, diçka që nuk duket se do të ndodhë për momentin.
Ish-lojtari i Dortmundit vazhdon të jetë i zemëruar për fjalët e Ten Hag pas ndeshjes kundër Arsenalit në të cilën ai justifikoi praninë e tij të kufizuar në ekip për shkak të paraqitjes së dobët në stërvitje. Përgjigja e Sanchos ishte se ai po bëhej një “kokë turku”, duke akuzuar trajnerin holandez për gënjeshtra.
Situata nuk është e mirë, as për bashkëlojtarët e tij që kanë mbajtur qëndrim dhe, ndonëse e kuptojnë pjesërisht zemërimin e Jadon Sanchos për ato akuza të forta të trajnerit, të cilat ishin edhe publike, mendojnë gjithashtu se lojtari ka shkuar shumë larg me kritikat e tij. Kush do të fitojë në këtë luftë mes ten Hag dhe Sanchos, kjo për momentin nuk mund të përcaktohet, por betejën e parë e ka fituar trajneri.
()