Fri, Nov 29, 2024

“Është vendosur në anën e minuesve të dialogut”, Meta: Deklaratat e Vuçiç se nuk do ta njohë Kosovën, të papranueshme

  • PublishedSeptember 26, 2023

TIRANË

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vucic, i cili publikisht ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë, as në mënyrë formale dhe as në mënyrë informale Kosovën, si shtet sovran dhe i pavarur janë të papranueshme.

Në një deklaratë për mediat, Meta theksoi se kjo deklaratë e bërë fill pas këtij sulmi të dhunshëm, është prova e qartë e mungesës së plotë të vullnetit për një dialog të sinqertë mes Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili do t’i jepte zgjidhje shumë problemeve të mbetura pezull.

“Kosova ka përjetuar këto ditë tension të madh, për shkak të sulmeve të orkestruara dhe të dhunshme ndaj policisë dhe sigurisë publike të saj.
Është tashmë shumë e qartë, që kjo veprimtari kriminale ka si qëllim të vetëm destabilizimin e situatës dhe krijimin e situatës së tensionit permanent.
Ne të gjithë jemi të tronditur nga pamjet e arsenalit luftarak tepër të madh të agresorëve, të sekuestruar tashmë nga forcat e policisë së Kosovës, të cilat janë provë e pakundërshtueshme e një veprimtarie kriminale të organizuar dhe të mirëmenduar, për qëllime të qarta politike.
Këto akte të dhunshme ishin realisht sulme ndaj autoriteteve legjitime të Kosovës dhe për të dobësuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Me gjithë situatën shumë të komplikuar, është vendi për të përshëndetur qëndrimin profesional dhe të vendosur të qeverisë dhe agjensive ligjzbatuese në Kosovë, që arritën të neutralizojnë këto sulme të dhunshme kriminale dhe të rivendosnin rendin publik”.

“Janë të papranueshme deklaratat e presidentit Vucic, i cili publikisht ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë, as në mënyrë formale dhe as në mënyrë informale Kosovën, si shtet sovran dhe i pavarur.
Kjo deklaratë e bërë fill pas këtij sulmi të dhunshëm, është prova e qartë e mungesës së plotë të vullnetit për një dialog të sinqertë mes Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili do t’i jepte zgjidhje shumë problemeve të mbetura pezull.
Presidenti i Serbisë është vendosur në anën e minuesve të këtij dialogu në funksion të qëllimeve tij politiko-nacionaliste, që nuk i shërbejnë aspak paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, theksoi Meta.

Sipas tij, ngjarjet e dhunshme të ditëve të fundit, janë dëshmi e hidhur e qëndrimeve të vjetra të Beogradit, qëndrime të cilat pengojnë të ardhmen Europiane të rajonit, ndërkohë që firmosja e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, dhe zbatimi i tyre me rigorozitet në terren, do të ishin përgjigja më e mirë për të ardhmen europiane të Serbisë, Kosovës dhe të gjithë rajonit tonë.

“Pavarësisht situatës tepër të rëndë të krijuar, nuk duhet të ndërpritet në asnjë mënyrë dialogu i filluar mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rruga e vetme për zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
Mbështesim plotësisht Presidenten, Kryeministrin dhe të gjitha institucionet në Kosovë, në veprimtarinë e tyre për garantimin e rendit, sundimit të ligjit dhe ruajtjes së sovranitetit në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i PL.

AlbaniaWeb.net