Opozita kërkon hetim parlamentar për 4 koncensionet e shëndetësisë
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji dhe deputetja Albana Vokshi në një dalje për mediat të martën thanë se qëllimi i ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar ishte zbardhja e abuzimeve që janë bërë me katër kontratat koncensionare në sektorin e Shëndetësisë.
“Ky hetim synon të mbledhë informacione për zbatimin e ligjit për kontratat dhe të adresojë nevojën që të korrigjojë apo hartojë legjislacionin relevant me qëllim që të garantohet shërbimi cilësor,” tha Gjergji.
Sipas Vokshit, me anë të këtij hetimi parlamentar kërkohet zbardhja e arsyeve se pse ka dështuar premtimi i qeverisë për ‘shëndetësi falas’.
“Hetimi do të vërtetojë, dhe me dëshmitë e mjekëve apo qytetarëve, se si shërbimet shëndetësore nuk jepen fare për shkak të abuzimit që është bërë me koncensionet,” tha Vokshi.
Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij, “shqyrtimin e të gjitha problematikave lidhur me kontratat publike në sektorin e shëndetësisë, si në fazën e përzgjedhjes së fituesit, ashtu edhe në fazën e zbatimit të tyre; dhe vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, barazisë, konkurrencës, meritokracisë dhe efiçencës ekonomike në procedurat e koncesioneve dhe PPP-ve.”
Në kërkesën e firmosur nga 45 deputetë vihet në dukje se 4 kontratat publike në sektorin e shëndetësisë përllogariten në vlerën totale rreth 450 milionë dollarë, por nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK në dhënien e tyre ka pasur shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 4 kontrata partneriteti publik-privat që nga viti 2015 der në 2019 dhe 3 prej tyre janë në hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për abuzim me fondet publike dhe shkelje ligjore.
Në gusht, Gjykata e Posaçme udhëroi disa arrestime për kontratën “për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile”, ose siç njihet si “kontrata e sterilizimit”, i cili i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 7.9 miliardë lekë [76 milionë euro] deri në fund të vitit 2022.
Pas hetimeve 4-vjeçare ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
Një tjetër kontratë që është në hetim është ajo për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40 – 65 vjeç”, e njohur si “Check-up”, me afat 10-vjeçar.
Hetimi parlamentar sipas kërkesës së PD-së do të merret dhe me kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës, me afat 10-vjecar dhe një kosto të llogaritur prej 70 milionë eurosh.
Koncensioni i fundit i dhënë në vitin 2019 është kontrata e kushtueshme për shërbimin e laboratorëve mjekësorë, e cila po hetohet për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin.
Shërbimi i laboratorëve mjekësorë parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë ose 114 milionë dollarë në 10 vitet e operimit.
Në kërkesën e tyre deputetët e PD-së parashtrojnë se qëllimi i hetimit nuk është të çojë për ndjekje penale persona të caktuar duke ndërhyrë në punën e organeve të drejtësisë, por të analizojë ligjshmërinë e dhënies dhe zbatimit të këtyre kontratave.
Pas bashkimit mes dy grupimeve brenda PD-së, të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të grupit Gazmend Bardhi, aksioni opozitar do të fokusohet në parlament me kërkesat për hetime parlamentare, si një mekanizëm që ligji i jep opozitës për të kontrolluar qeverisjen.
Disa ditë më parë, ky grup dorëzoi një tjetër kërkesë për hetimin e rrjedhjes së të dhënave personale nga data-bazat shtetërore. Objekti i këtij hetimi ka të bëjë me veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e të dhënave personale.