Sulmi në Veri, Meta: Rama të heqë dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kundërshtoi sot, fjalën e kryeministrit Edi Rama në konferencën me gazetarët, mbi paralelizmat që ai bëri për Veriun e Kosovës me situatën në Donbas.
“Dënoj me forcë deklaratat e kryeministrit Rama dhe paralelizmat që ai bën për Veriun e Kosovës me situatën në Donbas”, shkruan Meta në një postim në rrjetin social Facebook.
Sipas Metës, gjendja shumë e rënduar në Veriun e Kosovës është administruar me profesionalizmin më të lartë nga policia dhe institucionet e shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Dënoj me forcë deklaratat e kryeministrit Rama dhe paralelizmat që ai bën për Veriun e Kosovës me situatën në Donbas.
Gjendja shumë e rënduar në Veriun e Kosovës është administruar me profesionalizmin më të lartë nga policia dhe institucionet e shtetit të Kosovës.
Ne mbështesim plotësisht autoritetet kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilat po ushtrojnë të drejtat e tyre në ruajtje të rendit publik, territorit dhe sovranitetit të vendit.
Kërkesa e Ramës për vendosjen e Veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it është thjesht përsëritje e mesazheve dhe tezave të Vuçiçit, për ta konsideruar Veriun e Kosovës një konflikt të ngrirë, duke i bërë shërbim projektit Serb të ndarjes së Kosovës, ndërkohë që Republika e Kosovës është sot një shtet i pavarur, demokratik, multietnik, i njohur në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri i Shqipërisë duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës.
Detyra e tij kushtetuese dhe përgjegjësia e tij është që të dënonte rreptë agresorët dhe provokuesit serbë dhe t’i kërkonte Serbisë njohjen e Kosovës, si dhe nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
()