“Thyhet” edhe Uzuni, Sylvinho me “dhimbje koke”. Tre titullarë në dyshim ndaj Çekisë
Jo gjithçka ka shkuar perfekte për legjionarët kuqezi të shpërndarë në Evropë. Lajmi më i mirë këtë periudhë ishte rikthimi i Armando Brojës pas një dëmtimi të gjatë, sigurisht edhe forma fantastike e lojtarëve si Muçi, Bajrami apo Berat Gjimshiti. Për fat të keq, disa legjionarë kanë pësuar dëmtime këtë periudhë, ku i fundit që “parkon” në infermieri është Myrto Uzuni. Sulmuesi shqiptar pësoi një dëmtim në sfidën që Granada luajti kundër Bertis. Uzuni doli nga fusha në minutën e 39-të pasi e kishte të pamundur të vazhdonte ndeshjen.
Në fakt, Uzuni shfaqi probleme edhe në sfidën e fundit, por trajneri vendoste ta aktivizonte, por këtë herë muskujt e sulmuesit nuk mbajtën më. Uzuni i bashkohet edhe dy lojtarëve të tjerë të dëmtuar, Sokol Cikalleshit dhe Ardian Ismajlit, të tre janë në dyshin për sfidën e 12 tetorit kundër Republikës Çeke.
()