Kapen mbi 2.2 tonë kokainë në Irlandë, policia: Konsorcium i udhëhequr nga shqiptarët
Mbi 2.2 tonë kokainë me vlerë rreth 430 milionë paund është sekuestruar në brigjet irlandeze pas një informacioni të dhënë nga DEA Amerikane.
“Clan del Golfo” një kartel kolumbian, një konsorcium i udhëhequr nga shqiptarët dhe karteli irlandez “Kinahan” janë tre grupet kriminale që qëndronin pas kësaj ngarkese, sipas hetuesve irlandezë.
Task Forca beson gjithashtu se trafiku transatlantik i drogës ishte organizuar që nga Dubai.
Rreth njëzet banda me bazë evropiane mendohet se kanë qenë të përfshira në operacionin e trafikut që përfundoi pa sukses, pasi trafikantët të përfshirë nga kaosi se u pikasën, e përplasën anijen në breg.
Policia irlandeze ndoqi anijen e mallrave MV Matthew, të regjistruar në Panama, në brigjet juglindore të Irlandës në një operacion të madh të nisur pasi anija refuzoi urdhrat për të ndaluar.
Sapo komandot siguruan anijen, anëtarët e marinës irlandeze dhe Byrosë Kombëtare të Drogave dhe Krimit të Organizuar (DOCB) hipën në bord, ku gjetën 2,253 kg kokainë, e cila mund të vlejë deri në 430 milion paund.
Gjashtë anëtarë të ekuipazhit, duke përfshirë edhe një shtetas të Mbretërisë së Bashkuar, një rus dhe kapitenin iranian, janë arrestuar për t’u marrë në pyetje për atë që etiketohet si kapja më e madhe e drogës në historinë e shtetit irlandez.
Tani, detektivët po lidhen me homologët e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ata besojnë se trafiku ishte ideuar, ndërsa po përpiqen të identifikojnë ata që fshihen pas këtij trafiku.
Karteli më i madh i drogës në Kolumbi, i njohur si Klani i Gjirit Kolumbian, ose “Clan del Golfo”, si dhe një konsorcium kriminal evropian i udhëhequr nga shqiptarët, janë të dyshuarit kryesorë për ngarkesën e madhe me origjinë nga Venezuela.
“Besojmë se origjina e kësaj ndërmarrjeje qëndron në Dubai, ku janë të vendosura shumë nga figurat më të larta të krimit të organizuar në Evropë,” shtoi një burim policor.
“Ky është një rrjet i rëndësishëm droge që funksionon prej disa kohësh. Është duke u hetuar në mënyrë aktive nëse kjo anije mallrash ishte e lidhur me kokainën e zbuluar në Donegal së fundmi”, tha një burim tjetër për Irish Independent.
Ata thanë se tani ka shqetësime të mëdha se kapja e madhe e drogës do të rezultojë në gjakderdhje bandash pas ndërprerjes së rrjetit.
“Për fat të keq do të ketë pasoja për këtë, dhe kjo do të thotë vrasje”, tha burimi. “Kjo mund të mos jetë veçanërisht në rrugët irlandeze sepse grupet evropiane të krimit ishin gjithashtu të përfshirë, por kjo do të çojë në gjakderdhje.”