Raporti i OSBE për 14 majin/ “U prish barazia e garës”, Bylykbashi: Grusht turinjve nga ODIHR për zgjedhjet
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, ka reaguar në lidhje me raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai u shpreh se raporti ishte një “një grusht turinjve” për zgjedhjet lokale, pasi sipas tij është një ndër raportet më të zeza në 30 vjet.
Përmes një statusi në Facebook, Bylykbashi tha se raporti për 14 majin mund të krahasohet vetëm me atë të vitit 2001.
Postimi i plotë:
Raporti i ODIHR-it i fut një grusht turinjve zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Ndër raportet më të zeza në 30 vjet. I vetmi që krahasohet me të është raporti i vitit 2001.
Qeveria ka abuzuar masivisht me pushtetin dhe burimet shtetërore në favor të kandiddatëve të saj, duke prishur barazinë e garës që kërkojnë standartet e OSBE. Raporti fshikullon KQZ se i ka hapur derën dhe ka lejuar qeverinë të abuzojë e të shkelë ligjin që KQZ ka detyrë të garantojë. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit që kanë shkelur barazinë në zgjedhje duke abuzuar me burimet dhe pushtetin shtetëror për të fituar avantazh zgjedhor.
Është bërë presion mbi zgjedhësit, përfshirë mbi administratën me vende pune, shërbime shtetërore e duke i kërcënuar Kryeministri se do t’u ndërpresë financimet nëse votojnë opozitën. Pra zgjedhësit nuk kanë qenë të lirë. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit që kanë ushtruar presion mbi zgjedhësit.
Është cënuar sekreti i votës gjatë votimit nga komisionerët apo persona të tjerë si dhe operatorët e votimit elektronik, duke lejuar dendur votim familjar, votim në grup, votim në emër të votuesve të tjerë apo duke i udhëzuar zgjedhësit si të votojnë tek dhoma e fahehtë. Vota që nuk është sekrete nuk është e lirë. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit që kanë cënuar sekretin e votës.