“Kemi regjistruar gati 72% të kuotave”, rektori i UT: Disa degë rrezikojnë të mbyllen, ka ulje të numrit të aplikantëve
Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha ka folur sot në News24 për nisjen e vitit të ri Akademik.
Ai e nisi bisedën duke uruar studentët, teksa u ndal dhe te problematikat apo sfidat e Universitetit të Tiranës.
Ai konfirmoi se disa degë studimi rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk ka pasur preferenca.
“Por ajo që mund të them është se UT ruan të njëjtin trend të hyrjes në Universitet si vitet e shkuara me gjithë uljen e numrit të të rinjve që studiojnë në përgjithësi. Ndikimi te ne është disi më i lehtë. Ne kemi regjistruar gati 72% të kuotave në dispozicion. Kemi dhe një raund tjetër, ku besojmë se niveli i tyre do rritet, për të shkuar te 80% të nivelit të kuotave. Do donim 100% por ka ulje të numrit të aplikantëve”, tha Hoxha.
Sipas tij, ka disa degë që vuajnë si fizika, biologjia, biokimia, gjuha ruse, gjuha greke apo dhe ndonjë program tjetër në fakultetet e tjera, të cilat kërkojnë një përkujdesje më shumë.
“Shpresojmë që në raundin e tretë të bëjmë të mundur që këto programe t’i kemi të hapura. Rrezikojmë greqishten fort. Si duket nuk është më atraktive si gjuhë për t’u studiuar më vete, ne po kombinojmë 2-3 gjuhë për të hapur më shumë hapësirë punësimi. Mungesa e mësuesve të fizikës, matematikës, biologjisë që janë të domosdoshme sot në tregun e punë dhe për këtë qëllim qeveria miratoi një vendim që i futi në programe të interesit kombëtar dhe studentëve që ofrohen në këto programe, nga Këshilli i Ministrave u ofrohet paga minimale, që të kishte incentivë për t’i ndjekur”, tha ai.
Sipas Hoxhës, pasojat ndihen pas 10 viteve ose më shumë kur mund të kemi mungesë specialistësh. “Janë programe që i shikojmë në mënyrë të vazhdueshme. Ndikon tregu i punës dhe disa politika makro, jo vetëm universitare”, u shpreh rektori i UT.
Në lidhje me protestën e studentëve të Mjekësisë, Hoxha tha se sot është ditë feste, ditë e fillimit të vitit akademik, por jemi në një shoqëri demokratike, që gjithkush ka të drejtë të protestojë dhe mbajë qëndrime, por studenti duhet t’i drejtohet bankave të shkollës. “Familjes i mbështesin për të ndjekur studimet”, theksoi ai.
Në lidhje me degët e preferuara, Hoxha përmendi disa.
“Fakulteti i Drejtësisë, fakulteti i Ekonomisë në të gjitha programet. Të gjitha programet që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit. Rritje ka gjuhë-letërsia që është një kënaqësi ta themi”, tha ndër të tjera rektori Hoxha.