Sat, Nov 30, 2024

Balla raporton në Komision: Të dhënat e sistemit TIMS, 100% të mbrojtura. S’ka rrjedhje të dhënash

  • PublishedOctober 4, 2023

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është thirrur sot për të raportuar në Komisionin e Çështjeve Europiane. Balla gjatë fjalës së tij dha garancinë se të dhënat e sistemit TIMS janë 100% të mbrojtura dhe nuk ka rrjedhje të tyre.

DISKUTIMI
Çollaku:
Është lajm i mirë ky nivel sa më i lehtësuar i qarkullimit të qytetarëve shqiptarë në rajon me kartë identiteti. Kam premtuar se s’do të bëjë përfitime politike me diçka që keni bërë mirë. Siç duket tërheqja e Shqipërisë nga Open Balkan ka sjellë një gjë të mirë. Lëvizja me Kosovën është lehtësuar. Por a ka hapësirë apo pengesë për të lehtësuar ende procedurat për lëvizshmërinë me Kosovën.

Kodheli: Nuk kemi pasur shumë ministra në tryezë, kjo ua rrit dhe juve vlerat. Dua t’ju komplimentoj për punën tuaj edhe pse keni pak kohë në postin e ministrit. Ne jemi të tentuar që të kërkojmë gjithçka nga forcat e rendit dhe çdo hall tonin duam ta përplasim te këto struktura. Kjo s’do të thotë se jemi në anën e duhur të kërkesave. I mbetem këtij besimi që gjithsecili duhet të bëjë detyrat e veta në këtë shoqëri. Ka nevojë për reflektim. Procesi i integrimit mbetet detyrë mbi detyrat. Komplimente për Ministreialin dhe shpresoj që data 16 tetor do të hyjë në histori që një samit realizohet jashtë kufijve të Ballkanit, në Tiranë. Besoj shumë që çdo iniciativë që i ka pararendur procesit të Berlinit, ka qenë e mirëpritur. Është koha që Procesit të Berlinit t’i jepet më shumë rëndësi, pasi ka pasur momente të vakura. Nuk e di nëse do t’ju kërkoja më shumë për momentin kur flitet për fluksin në kufijtë shqiptare. Shqipëria ka nevojë për kufij të siguruar dhe që qytetarët duhet të jenë të sigurt. Ne rrimë për orë të tëra në aeroportet e botës, për të bërë verifikime. Me gjithë dëshirën e madhe për të pasur njerëz që vizitojnë vendin tim. Vendin tim e dua të sigurt dhe më pas të refuentueshëm. Përveçse ju mbështes për punën, nuk kërkoj prej jush që të hapen pika të reja, por të shtoni sigurinë në pikat kufitare, që është gjëja më e rëndësishme.
Agalliu: Duket se policia e Shtetit është në rrugën e duhur. Në diskutimet tuaja si ministër më ka ndjekur fakti siç është pastrimi i policisë nga të inkriminuarit. Ende Shqipëria është destinacion i shitjes së heroinës. Cili është angazhimi për faktin se ende jemi vend pritës.

Balla: Kuvendi është fuqiplotë. Dua të garantoj se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem. I fortifikuar dhe falë mbështetjes së partnerëve. Dua të vlerësoj asistencën e SHBA-ve. Dua të falënderoj partnerët. Gjatë verës së vitit të kaluar sistemi u sulmua, por dua t’ju garantoj se sistemi është 100 % funksional. I kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes policore, përfshirjen e menjëhershme të SPAK. Ka qenë dhe rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqej nga Prokuroria e Tiranës. Garantoj çdo qytetar shqiptar dhe të huaj, ka hyrë apo ka dalë nga vendi, kemi një qendër të operimit të të dhënave, që ka standardet më të mira. Pretendimet të verifikohen edhe nga prokuroria. Në aspektin tim si ministër i Brendshëm nxis që të hetohen çdo rast nga prokuroria. Rezulton se nuk ka pasur asnjë kopjim apo rrjedhje. Kur kthehet balta në piedestal, flitet për përdorim të të dhënave. Kjo është e pamundur! Sapo prokuroria të mbyllë hetimet, do t’ju informoj dhe do të vij këtu.

AlbaniaWeb.net