VIDEO/ Dortmund dhe Milan bëjnë paqe, disfatë e PSG! Fitojnë City, Lazio e Barça në Champions
Emocione të mëdha në Champions, në këtë natë magjike të xhiros së dytë të grupeve. Në Grupin F, Newcastle i dha leksion futbolli PSG-së, duke e mundur 4-1 në St. James’ Park (Newcastle).
“Qymyrxhinjtë” i befasuan të gjithë duke shënuar 3 herë radhazi në portën e kampionëve të Francës. Siparin e golave e hapi Almiron, ndërsa brenda fraksionit të parë dyfishoi Burn. Në kolaps total, ekipi i Enrique pësoi golin e 3-të me fillimin e pjesës së dytë nga Longstaff. Hernandez ngushtoi shifrat menjëherë, por parisienët nuk ia dolën dot të ktheheshin në lojë. Në fund, anglezët vulosën rezultatin në 4-1 me Schar.
Në takimin tjetër të grupit, Dortmund dhe Milan barazuan 0-0. Pavarësisht rasteve të shumta në “Signal Iduna Park”, asnjëra nga skuadrat nuk shënoi dot. Sa i takon renditjes, kryeson Neëcastle me 4 pikë, 1 më shumë se PSG e vendit të dytë dhe 2 më shumë se Milan e vendit të 3-të. Në fund qëndrojnë verdhezinjtë e Terzic, me vetëm 1 pikë.
Në grupin H, Barcelona mundi 0-1 Porton në Portugali, me katalanasit që iu falën golit të Torres. Me këtë rezultat, ekipi i Xavit kryeson me 6 pikë, më pas vjen Porto me 3 pikë.
Në Grupin E, Lazio bën detyrën në Skoci ndaj Celtic. Një sukses 1-2 për italianët, i ardhur vetëm në fund të takimit. Furuhashi “tundi rrjetën” për vendasit, ndërsa djemtë e Sarrit përmbysën llogaritë me Vecinon dhe Pedro. Kështu, Hysaj me shokë renditet në vendin e dytë me 4 pikë, 4 pikë ka edhe Atletico në krye.
Në Grupin G, Manchester City likuidoi 1-3 Leipzig. Foden, Alvarez dhe Doku vendosën emrin në listën e golashënuesve te kampionët në fuqi të Europës, që pavarësisht rezultatit hasën vështirësi në Gjermani, pasi Openda ishte autori i golit të përkohshëm të barazimit.
Ekipi i Guardiolës kryeson me 6 pikë dhe është në rrugën e mbarë për kualifikimin tutje. Leipzig tashmë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shikojë nga ndeshja e radhës, aktualisht është e dyta me 3 pikë.
Rezultatet:
Crvena Zvezda 2-2 Young Boys
Celtic 1-2 Lazio
Dortmund 0-0 Milan
Porto 0-1 Barcelona
Newcastle 4-1 PSG
Leipzig 1-3 Manchester City
(J.S/)