Açka: Situata jonë si KPD-ja e Nanos. Po e bëjnë tre “B” të lënduar, ose dy pak të tërbuar dhe një i vaksinuar me Europë. Mëkati im i vetëm, nuk qava dot babën në PD
TIRANË
Deputetja e PD-së Flutura Açka i është përgjigjur kreut të grupit të PD-së Gazment Bardhi, pasi ky i fundit tha sot në foltore se Bashën e ndjekin tre vetë.
Açka e cila është e nominuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha për kreun e grupit, tha se anatemohet pasi mëkati i vetëm është se nuk ka qarë dot babën në PD.
Deputetja e krahasoi situatën në PD me KPD-në e famshme të Fatos Nanos, por tha se janë tre B të lënduar që po e bëjnë ose më mirë dy B pak të tërbuar dhe një B i vaksinuar me Europë, duke iu referuar Berishës, Bardhit e Bashës.
“Dëgjova këtu në foltore që z. Basha ndiqet nga disa, nja dy dhe në ato nja dy jam dhe unë. Dua t’i them kolegut tim dhe mikut tim të hershëm z. Bardhi që unë jam në PD ku i kam gjetur kolegët e mi të nderuar dhe ku do t’ju lë një ditë.
Z. Bardhi dhe kolegët e mi të PD-së i vetmi mëkat që kam unë në raport me ta, është mëkati që ka personazhi i romanit të famshëm ‘I huaji’ të Kamy-s, i cili nuk qau dot nënën, Unë nuk kam qarë dot babën në PD, kjo është arsyeja pse unë anatemohem në mënyrë të vazhdueshme edhe sot në parlament.
Unë dua t’ju kujtoj kolegë të nderuar të pozitës socialiste, të sjell në mendje KPD-në e famshme tuajën, në të njëjtën pozitë jeni edhe ju sot qeshni me ne. Nuk e di nëse kanë qeshur këta në KPD-në e famshme të 2001. Kjo është një lloj KPD-je, por pak më ndryshe se atë KPD-në e famshme e bëri një Fatos Nano i dashuruar, këtu po e bëjnë tre ‘B’ të lënduar, ose me thënë më mirë, më mirë, tamam tamam siç e mendoj unë dy ‘B’ pak të tërbuar dhe një ‘B’ i vaksinuar me Europë. Dhe prandaj hajde të dalim ne nga ky qorrsokaku ku kemi hyrë si opozitë, unë nuk e di. Personalisht sa kohë këtu për të drejtën falsin personazhe që kanë bërë 8 janarin, nuk besoj më se do ketë zgjidhje kaq të lehtë. Znj. kryetare merreni zgjidhjen ju, meqenëse ju ka mbetur juve në dorë dhe bëjeni si do që të jetë, bëjeni siç është drejtë”, tha Açka.