Prokurori Elidon Hysenaj konfirmohet në detyrë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënë më 9 tetor vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Elidon Hysenaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Brunilda Bekteshin.
Gjatë seancës dëgjimore më 5 tetor, relatori Hamitaj vuri në dukje se përtej raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, KPK ka gjetur vetëm një bilanc negativ prej rreth 400 mijë lekësh në pasurinë e Hysenajt. Sipas KPK, ky bilanc negativ vinte nga pamundësia për të kthyer pas një hua prej 800 mijë lekësh, marrë vjehrrit të Hysenajt për pagesën e një kësti shtëpie. Prokurori Hysenaj deklaroi se kishte paraqitur prova që kundërshtonin këtë gjetje. Po ashtu, Hysenaj dha shpjegime dhe për konstatimet në kriterin e figurës dhe për profesionalizmin.
Elidon Hysenaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004. Ai u emërua prokuror në vitin 2015 dhe e ushtroi funksionin prej tetë vitesh në Prokurorinë e Rrethit Sarandë dhe më vonë në Berat. Së fundmi ai është caktuar në Prokurorinë e Durrësit.