Apeli i organizatave: Asnjë fëmijë nuk është i sigurt në internet
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA dhe Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet, “iSigurt.al” bënë përmes një deklarate për shtyp thirrje për reagim ndaj fenomenit të përhapjes në rrjet të videove me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve shqiptarë.
Mesazhi u drejtohej prindërve dhe qeveritarëve shqiptarë përmes thirrjes “Çohuni nga gjumi”.
“Platforma mediatike online ‘ZËRI’ ka bërë sot publike, pas gjurmimeve dhe hetimeve që gazetarët e saj kanë kryer në aplikacionin “Telegram” për grupe të pedofilëve dhe të grabitqarëve seksualë, të cilët shpërndanin materiale me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve në një apo disa kanale të Telegram-it,” thuhet në deklaratën për shtyp e CRCA Albania dhe “iSigurt.al”.
Sipas platformës raportuese, imazhet e shpërndara në internet i përkasin fëmijëvë që janë dhunuar seksualisht në Shqipëri.
Sipas një raporti të “iSigurt.al” në vitin 2022 të paktën 15 mijë profile dhe faqe në Shqipëri janë raportuar si faqe që përmbajnë material të dhunës seksuale, ku 40% e këtyre materialeve tregonin fëmijë nën moshën 10 vjeç.
“Pranë i SIGURT.al çdo ditë raportohen të paktën 2-3 kërkesa për mbyllje faqesh apo profilesh në gjuhën shqipe me përmbajtje të bullizmit ekstrem apo dhunës seksuale ndaj fëmijëve,” citon deklarata e përbashkët për shtyp.
Ekspertët e CRCA dhe “iSigurt.al” bënë thirrje për reagim nga ana e prindërve dhe autoriteteve përgjegjëse në Shqipëri, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre krimeve ndaj minorenëve.
“Autoritetet në vend dhe prindërit janë tërësisht të pandërgjegjësuar për krimet që fëmijët në Shqipëri ndeshin çdo ditë në internet”, shkruajnë aktivistët për mbrojtjen e të drejtavë të fëmijëve