Çekia vjen si favorite, kompanitë e basteve nuk besojnë te Shqipëria
Çekia vjen në Tiran me stofin e një ekipi favorit, kjo të paktën sipas kompanive të basteve, të cilat besojnë ende në një sukses të mundshëm të tyre në “Air Albania”. Një fitore e Çekisë vlerësohet me koeficientin 2,30, ndërsa një fitore e mundshme e Shqipërisë vlerësohet me 3,40. Barazimi është një rezultat që i shkon përshtat kuqezinjve, ndërsa ky opsion i mundshëm vlerësohet me 3,10.
Në të kaluarën, pasi Çekia është ndarë nga Çekosllovakia, jemi përballur vetëm dy herë, një fitore në favor të tyre, ndërsa sfida e fundit, e zhvilluar në Pragë, e vlefshme për kualifikueset “Euro2024” përfundoi në barazim 1-1, ku perla e Nedim Bajramit na dhuroi një pikë të artë. Jo vetëm Shqipëri-Çeki, të enjten luajnë edhe rivalët e tjerë të kuqezinjve në Grupin E: Ishujt Faroe-Polonia, ndërsa Moldavia është pushim.
Pas pesë ndeshjeve në Grupin E, Shqipëria renditet në vendin e parë me 10 pikë, e ndjekur pikërisht nga Çekia me tetë pikë, por me një ndeshje më pak. Në mënyrë surprizë, në vendin e tretë renditet Moldavia me tetë pikë në pesë ndeshje, e ndjekur nga Polonia me 6 pikë në 5 ndeshje.
()