Fri, Nov 29, 2024

Dakordësimi për Rezolutën/ “Shqipëria s’ka zë për sulmin e Serbisë”, Dashnor Sula i përgjigjet Çollakut: Nuk mund të përdoret për lojë politike

  • PublishedOctober 11, 2023

Deputeti i PD Dashnor Sula, ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, lidhur me dakodësinë e arritur për Rezolutën e Kosovës.

Sula thotë se Kosova nuk mund të përdoret për një lojë politike, teksa shton drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se pak më herët Çollaku ka shprehur zhgënjim për mos qëndrimin e Shqipërisë në mbrojtje të Kosovës dhe në denoncimin e disa çështjeve të rëndësishme në rajon, duke i quajtur këto vendime të një “Aleance të Heshtjes” mes Rithemelimit dhe PS-së.

Reagimi i plotë:

KOSOVA NUK MUND TË PËRDORET PËR LOJË POLITIKE TË DITËS!

Prej 2 javëve në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy draft Rezoluta nga grupet parlamentare të PD dhe PS. Palët gjetën dakordësi sot për të dalë me një qëndrim të përbashkët, që në fakt është qëndrimi i institucioneve të Kosovës.

Kushdo që për “politikë të ditës” sillet sikur e do Kosovën më shumë se vetë Kuvendi i Kosovës, nëse kishte çështje apo propozime, ishte i lutur të paraqiste Amendamente, sic Rregullorja e Kuvendit e parashikon. Shënimet në facebook nuk janë as punë dhe as ndihmë për çështjen e Kosovës.

Kur flitet për Kosovën, sulmi ndaj kolegëve, për politikë të ditës, nuk nderon askënd. Përkundrazi, i përshfaq në sytë e opinionit publik si qesharakë që kanë humbur rrugën dhe nuk dinë ende se çfarë duan dhe për çfarë flasin. Një javë më parë në seancë plenare “Lideri i tyre” thërriste miratoni Rezolutën e Kosovës, sot fshihet dhe bërtet pse po miratoni Rezolutën e Kosovës.

Drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës. Mbështetja e qëndrimeve të Kosovës është e vetmja rrugë për të qenë sot krah saj! Të tjerat janë “politikë dite”për t’u shfaqur që ekzistojnë!

AlbaniaWeb.net