Fri, Nov 29, 2024

“Na presin tri finale”, Sylvinho nuk firmos për “X”, por konfirmon mungesën e Brojës: Më vjen keq, nuk është gati

  • PublishedOctober 12, 2023

“Është një sfidë shumë e rëndësishme, por jo përcaktuese”. Sylvinho, trajneri i Kombëtares, përpiqet të mbajë ambientin me këmbë në tokë, kundër Çekisë është një sfidë e vështirë, ndaj një rivali që vjen si i pathyeshëm, kanë pësuar vetëm dy gola, janë një skuadër shumë fizike, por Shqipëria i ka të gjithë elementët për të marrë një rezultat pozitiv:

“Na pret një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por jo vendimtare. Çekia është një skuadër fizike, nuk ka humbur ende, teksa ata kanë pësuar vetëm dy gola. Na pret një punë e madhe, duhet të derdhim shumë djersë. Na presin tri finale, nuk do të jenë të lehta, por jemi gati dhe të përgatitur”.

Në këtë sfidë, stadiumi “Air Albania” pritet të jetë “zjarr”, atmosfera është fantastike, por këto janë që nuk e shqetësojnë Sylvinho, brenda dhomave të zhveshjes është një tjetër histori:

“Forca e kësaj skuadre është shpirti i garës, zemra që vendosin lojtarët në fushë dhe tifozët. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për entuziazmin e krijuar, por kjo nuk është problem. Nuk kemi pasur shumë nevojë të punojmë psikologjikisht, djemtë janë gati dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë e takimit”.

Pas afro një vit, më në fund, Armando Broja u rikthye të vesh fanellën kuqezi, por për fat të keq “bomberi” i Chelsea nuk do të jetë në dispozicion të ekipit për këtë sfidë:

“Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot… Është stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelseat. Më vjen keq, por lojtari nuk luan kundër Çekisë. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mirë. Gjasula është rikthyer, nuk ka probleme”.

Sylvinho dhe i gjithë stafi janë të vetëdijshëm se çfarë kërkojnë nga kjo sfidë:

“I kënaqur me barazimin? Nëse nuk fitojmë dot, atëherë barazimi pranohet. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen”.

Në të njëjtën linjë me trajnerin ishte edhe kapiteni Berat Gjimshiti, ndaj Çekisë do të jetë një ndeshje e vështirë:

“Çekia është një skuadër shumë fizike, që luan shumë me krosime dhe goditje standarde. Besoj do jetë e njëjta ndeshje, nuk ishte e lehtë të merrnim barazimin, por ia dolëm. Sot ta shikojmë ishalla kemi më shumë raste dhe të shënojmë e fitojmë.”

AlbaniaWeb.net