Fri, Nov 29, 2024

Rreziku i Diabetit Rritet me 9% për çdo orë Gjumë të Munguar

  • PublishedOctober 13, 2023

Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org  sugjerojnë se gjumi i mjaftueshëm e cilësor është një nga faktorët më të rëndësishëm për mirëqenien e shëndetit tonë mendor dhe fizik. Në fakt, njeriu nuk jeton dot po nuk fjeti gjumë, e  megjithatë ka kaq shumë njerëz që, qoftë për shkak të stresit, mungesës së kohës apo sëmundjeve , vuajnë nga çrregullimet e gjumit.

Sa Orë Gjumë Ju Nevojiten Për Shëndet Optimal ?

Fondacioni Kombëtar Për Gjumin në Shtetet e Bashkuara rekomandon që të rriturit e moshës 18 deri 64 vjeç të flenë shtatë deri në nëntë orë, ndërsa të rriturit e moshës 65 vjeç e lart të flenë shtatë deri në tetë orë.

Marrëdhënia Mes Gjumit Dhe Rrezikut të Diabetit

Problemet me gjumin rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2, thonë ekspertët.

Nëse njeriu nuk plotëson as dozën minimale të gjumit të nevojshëm, pra 7 orë, shanset për shfaqjen e sëmundjes në fjalë rriten me 9 përqind për çdo orë gjumë të munguar.

Ekspertët thonë se mungesa e gjumit mund ta shtyjë trupin të prodhojë insulinë joadekuate dhe të rrisë prodhimin e sheqerit në gjak, ose glukozës.

Ndonëse diabeti nuk shkaktohet vetëm nga një faktor i vetëm, nivel i tepruar i glukozës për shkak të rezistencës ndaj insulinës është problematik sepse nëse nuk trajtohet ose nëse është i vazhdueshëm,  mund të çojë në komplikime serioze shëndetësore, përfshirë këtu sëmundjet e zemrës, neuropatinë dhe humbjen e shikimit .

Përse Gjumi Është Po Aq i Rëndësishëm Sa Barnat Dhe Ushqyerja

Mungesa kronike e gjumit shkakton një stres të fortë në sistemin tonë të brendshëm dhe nxit rritjen e tensionit të gjakut.

Hipertensioni është i lidhur ngushtë me sëmundjet e zemrës dhe këto të fundit, përfaqësojnë një rrezik të dyfishtë të vdekjes për njerëzit që vuajnë nga diabeti.

Për pasojë, menaxhimi i stresit është i një rëndësie thelbësore.  Stresi psikologjik mund të rrisë sheqerin në gjak me 10 deri në 15 përqind, thonë ekspertët që bëjnë thirrje për një cilësi më të mirë të gjumit./AgroWeb.org