Sat, Nov 30, 2024

‘Mungesa e dinarëve’ në zonat serbe në Kosovë: Vështirë pa para, gjithçka është e bllokuar

  • PublishedOctober 13, 2023

Zorani nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe në Kosovën qendrore, nuk mundi të merrte pensionin e tij më 12 tetor, sepse, siç i thanë në postë, nuk kishte para.

“Nuk ke me çfarë të blesh ushqime tani, askush nuk të jep para”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

As më 13 tetor në mëngjes nuk ka arritur t’i marrë paratë.

Pensioni i tij është rreth 40.000 dinarë, që është rreth 350 euro. Siç thotë ai, me ato para jetojnë tre anëtarë të familjes së tij.

“Kemi pritur, nuk ka para, gjithçka është e bllokuar. Të gjithë pensionistët janë të pakënaqur, të dëshpëruar, pa para është e vështirë”, shton Zorani.

Posta në Graçanicë, e cila funksionon në sistemin serb.

Posta në Graçanicë, e cila funksionon në sistemin serb.

Serbët në Kosovë marrin pensione nga sistemi serb, prandaj paguhen me dinarë, monedha zyrtare e Serbisë.

Ndërkaq, një pensionist nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se pagesat në këtë qytet në veri të Kosovës kanë nisur më 13 tetor.

Përveç pensioneve, pagat për punëtorët që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, shtesat e fëmijëve dhe të lehonisë, si dhe asistenca sociale paguhen edhe në dinarë.

Këto të ardhura mund të tërhiqen në zyrën postare ose në bankomatet e Bankës së Postës (Poštanska Štedionica), që funksionon brenda sistemit serb.

Gjithashtu, banka komerciale, NLB, ka degë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, ku mund të ketë llogari në dinarë.

Pritjet para bankomatëve në Mitrovicë të Veriut.

Pritjet para bankomatëve në Mitrovicë të Veriut.

Pse nuk ka dinarë?

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, është në përdorim edhe dinari. Në katër komuna në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, çmimet nëpër dyqane janë të shënuara me dinarë.

Viteve të fundit është praktikuar importimi i parave (dinarë) nga Serbia përmes pikës së kalimit kufitar Jarinjë, sepse ky vendkalim është më i afërti me Leposaviqin, ku ndodhet selia përfaqësuese, gjegjësisht thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë.

Përfaqësia e Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Përfaqësia e Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Mirëpo, Jarinja është e mbyllur që nga 24 shtatori, kur një grup serbësh të uniformuar dhe të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit. Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që pasuan mes policisë dhe grupit të armatosur u vranë tre prej sulmuesve.

Atëherë ishte mbyllur edhe Bërnjaku, pika e dytë kufitare në veri të Kosovës, por u hap më 4 tetor. Mirëpo, Jarinja është ende e mbyllur për shkak të “hetimit të terrenit” pas sulmit në Banjskë.

Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se kur pritet të përfundojnë hetimet në terren dhe të hapet për hyrje pika e kalimit kufitar në Jarinjë. Aktualisht, përmes këtij vendkalimi është e mundur të dalësh nga Kosova, por nuk është e mundur të hysh.

Tërheqje të kufizuara në ATM

Më 13 tetor, REL-i ka parë para degës në Graçanicë të bankës komerciale NLB se kompania e transportit të parave “Henderson” ka sjellë dinarë. Disa banorë, me të cilët bisedoi REL-i, konfirmuan se kanë arritur të tërheqin para nga bankomati, por kanë frikë se pas disa ditësh do të jetë sërish bosh.

Në foto Banka Komerciale NLB, dega në Graçanicë, më 13 tetor 2023.

Në foto Banka Komerciale NLB, dega në Graçanicë, më 13 tetor 2023.

REL-i nuk mundi të konfirmonte nëse dinarët, me të cilët mbushej bankomati ishin importuar nga Serbia përmes një pike tjetër të kalimit apo nëse ishin dorëzuar nga kasaforta e Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Nga ana tjetër, nga 12 tetori në bankomatet e Bankës së Postës në Mitrovicë të Veriut mund të tërhiqen 10.000 dinarë, që janë rreth 80 euro.

Rikujtojmë se më parë kufiri ditor në bankomatet e Bankës së Postës ishte 50.000 dinarë, ndërsa nuk kishte kufi për tërheqjen e parave në sportel.

Një banore e Mitrovicës së Veriut, e cila ka dashur të mbetet anonim, i tha Radios Evropa e Lirë se më 12 tetor ka tentuar të tërheqë para në njërin nga dy bankomatet e Bankës së Postës në Mitrovicën e Veriut, por që në ekran shkruante “shumë e gabuar”.

“Në një bankomat tjetër, personat që tërhiqnin mjete më thanë se shuma ishte e kufizuar në 10 mijë dinarë. Vendosa t’i tërheq paratë në sportel, por më thanë se edhe atje mund të tërhiqen vetëm 10 mijë dinarë”, thotë ajo.

Postë, e cila operon nën sistemin e Serbisë, në Mitrovicë të Veriut.

Postë, e cila operon nën sistemin e Serbisë, në Mitrovicë të Veriut.

Më pas ajo tentoi të tërheqë para në Zveçan, ku edhe e ka degën Banka e Postës, por në bankomat nuk kishte para, edhe pse kishte tërheqje të kufizuara.

“Ende ishte e mundur të tërhiqeshin deri në 50.000 dinarë në sportel”, shtoi ajo.

Radio Evropa e Lirë e pyeti bankën komerciale NLB, Bankën e Postës dhe Postën e Serbisë, se pse nuk ka pasur dinarë për pagesa në zonat e banuara me serbë në Kosovë gjatë ditëve të fundit dhe se a dihet se sa do të zgjasë “mungesa” e dinarit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

Nojkiq: Problemi është i zgjidhshëm, bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është i domosdoshëm

Ish-drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, në deklaratën e tij për Radion Evropa e Lirë nënvizon se kjo nuk është hera e parë që ka “mungesë dinarësh”, por se ky problem është “lehtë i zgjidhshëm”.

“Ne u organizuam në një mënyrë krejtësisht tjetër dhe e tejkaluam atë. Për atë (tejkalimin e problemit) nevojitet bashkëpunim korrekt me institucionet në Prishtinë. Kemi pasur (një bashkëpunim) shumë të mirë dhe gjithmonë ka pasur një zgjidhje alternative për ta tejkaluar atë problem”, shpjegon Nojkiq.

Aktualisht, drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë është Ivan Millojeviq.

Ai më herët ka marrë pjesë në punën e Qeverisë së Kosovës përmes Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai ishte drejtor i Zyrës për Komunitete në Kabinetin e kryeministrit të Kosovës dhe ministër i Zhvillimit Rajonal.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me të për të marrë më shumë detaje për “mungesën” e dinarëve dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, por pa rezultat.

Në anën tjetër, Nojkiq thekson se paratë nga Serbia nuk duhet të hyjnë vetëm përmes vendkalimit në Jarinjë, pavarësisht se kasaforta e Bankës Kombëtare të Serbisë gjendet në Leposaviq.

“Është e nevojshme vetëm të arrihet një marrëveshje (me autoritetet e Kosovës), për të rënë në kontakt me Bankën e Postës. Duhet vetëm një aplikim për të rënë dakord me ata të Beogradit, dua të them se problemi është i zgjidhshëm, por se duhet të angazhohen punonjësit, të propozohet një zgjidhje”, shton më tej ai dhe përsërit se këto janë “çështje teknike”.

Ai thekson se bashkëpunimi i institucioneve të Serbisë me autoritetet kosovare është i domosdoshëm dhe se kjo më parë ka qenë një “praktikë e rregullt”.

“Kemi komunikuar rregullisht, sa herë që ka pasur ndonjë problem kemi shkuar dhe jemi marrë vesh me to (autoritetet e Kosovës) se si ta kapërcejmë atë. Duke vepruar kështu, ne nuk i kemi shkelur ligjet e Kosovës, por kemi bashkëpunuar. Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës është i domosdoshëm për jetën e serbëve në Kosovë”, përfundon Nojkiq.

Para problemit me “mungesën e dinarëve”, edhe institucionet shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë kishin paralajmëruar për “mungesë të barnave dhe materialeve mjekësore”. Kujdesi shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë funksionon, po ashtu nën sistemin serb.

Mirëpo, Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës i ka mohuar këto pretendime me arsyetimin se nuk është refuzuar asnjë kërkesë “për donacion” të produkteve mjekësore nga Serbia, të destinuara për institucionet shëndetësore në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi