Wed, Nov 27, 2024

Mbi 23 milionë Euro/ ARRSH hap tenderin e katërt për aksin Elbasan-Qafë Thanë

  • PublishedOctober 16, 2023

Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi hapi procedurën për lotin 4 të rrugës Elbasan-Qafë Thanë me një fond limit rreth 2.5 miliardë lekë apo rreth 23.4 milionë euro. Kjo procedurë vjen vetëm pak ditë pas çeljes së procedurës së lotit të 3-të të njëjtit aks. “5Pyetjet.al” publikon dokumentet e tenderit.

Faza e katërt e projektit të zbatimit ka një gjatësi 1860 metra linearë. Ky segment fillon ne km 14+600, 50m para urës ekzistuese të Librazhdit dhe përfundon në kilometrin 16+460, 150 metra pas daljes së tunelit hekurudhor.

Rruga Elbasan-Qafë Thanë ka nisur tashmë prej disa kohësh dhe në terren po punohet për lotin 1 dhe dy ku punimet sipas inspektimeve të zhvilluara në terren dhe gjatë daljeve publike të përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ARRSH kanë pasur ecuri të shpejtë. Projekti në total ka një gjatësi 50.12 kilometra.

“Për shkak se kjo rrugë është gjithashtu pjesë e korridorit 8 dhe duke qenë se pala maqedonase ka avancuar shumë duke kryer Projekt-Zbatimin e rrugës Qafë-Thanë-Struge-Gostivar me parametrat e një rruge të Kategorisë A, ARRSH nëpërmjet Vendimit të Këshillit Teknik pas miratimit të fazës së Projekt-Idesë, ka vendosur kryerjen e projekt-zbatimit sipas parametrave teknik të Kategorisë B (Interurbane Kryesore )” thuhet në dokumente.

Pak javë më parë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku konfirmoi se projekti për rrugën lidhur me daljen në Maqedoni ka ndryshuar dhe pika e re e daljes është afër Urës së Bushtricës. Projektit i shtohet një tunel 3 kilometra i gjatë.

AlbaniaWeb.net