Thu, Oct 31, 2024

Qindra të vrarë nga një sulm në një spital në Gaza, Izraeli mohon përfshirjen

  • PublishedOctober 17, 2023

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press (AP).

Izraeli i ka mohuar pretendimet se e ka bombarduar spitalin.

Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.

Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e ka anuluar një takim të planifikuar për të mërkurën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Aman të Jordanisë.

“Presidenti është shumë i zemëruar me lajmin për masakrën izraelite në spital në Gazë, dhe ai vendosi të kthehet menjëherë në Ramallah”, tha një zyrtar palestinez.

Ushtria e Izraelit tha të martën vonë se “të dhënat e inteligjencës tregojnë se grupi xhihadist palestinez është përgjegjës për sulmin ndaj spitalit”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi sulmin ndaj spitalit në jug të Rripit të Gazës të martën, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab”, tha drejtori i organizatës së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, tha se sulmi ndaj spitalit Al-Ahli e “shton tmerrin e tragjedisë që po ndodh para syve tanë tash e sa ditë.”

“Përsëri, civilët e pafajshëm po e paguajnë më së shtrenjti. Duhet gjetur qartazi se kush është përgjegjës për këtë krim dhe kryerësit e tij të mbahen përgjegjës”, tha ai./REL

 

AlbaniaWeb.net