Sat, Nov 23, 2024

Agresioni në veri, Kurti: Provat e siguruara dëshmojnë që sulmi u krye nga Serbia

  • PublishedOctober 18, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim në Akademinë për Siguri Publike ku ka diskutuar në lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Kurti u shpreh se të gjitha provat e siguruara në Banjskë është dëshmuar që sulmi është kryer nga Serbia.

“Nga të gjitha provat e siguruara në vendin e sulmit dhe jo vetëm, dëshmohet qartë që ky sulm është kryer nga Serbia.

Qëllimi kryesor i saj ka qenë që përmes terroristëve të armatosur e të maskuar të aneksojë veriun e vendit tonë.

Duke pasur parasysh që Serbia vazhdon të jetë aleate e palëkundur e Rusisë, përmes këtij sulmi terrorist ajo ka tentuar ta kopjojë skenarin e Donbasit në Ukrainë.

Falë profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Kosovës, ky skenar ka dështuar të realizohet, dhe është mbrojtur popullata civile që në mëngjesin e 24 shtatorit është gjendur e rrethuar nga këta terroristë e kriminelë,” ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se Serbia në vazhdimësi po kërcënon ushtarakisht Kosovën.

“Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë.

Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është  381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë, u shpreh Kurti.

AlbaniaWeb.net