Sat, Nov 23, 2024

Dhjetë dëshmi për tragjedinë e Gërdecit në çështjen kundër Fatmir Mediut

  • PublishedOctober 18, 2023

Në seancën e procesit penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të Gërdecit, të zhvilluar të mërkurën më 18 tetor, paraqitën deklarimet e tyre 10 prej dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Dëshmitarët ishin të lënduar nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec të cilët kanë mundur të mbijetojnë dhe familjarë të viktimave. Fillimisht u pyetën bashkëshortët Feruzan e Zamira Durda, prindërit e një 6-vjeçari që humbi jetën nga shpërthimi teksa ishte duke luajtur me kushërinjtë e tij. Po ashtu, u pyetën dëshmitarët Drita Cani, Alketa Hazizi, Fejzi Shehu, Elidon Durda, Mustaf Laçi, Hekuran Kasa, Koli Hazizaj dhe Hekuran Deliu.

Pyetjet e prokurorit dhe të avokatëve u vëritën më së shumti rreth mënyrës së punësimit të dëshimtarëve apo të familjarëve të tyre në kantierin e demontimit të armëve në Gërdec, kushtet në të cilat punonin, se kush i drejtonte, nëse procesi kishte pasur mbikëqyrje të forcave ushtarake, si dhe se çfarë rrethanash mbanin mend nga momenti i shpërthimit, se ku dhe si kishte ndodhur.

Dëshmitarët sollën pas 15 vitesh panoramën e ngjarjes tragjike. Ata që nuk ishin ndodhur në vendngjarje treguan se si kishin mësuar për familjarët e tyre të lënduar apo për ata që kishin humbur jetën. Ndërsa ata që kishin punuar vetë në demontimin e armëve apo për sigurinë, treguan se punësimi kishte qenë informal, se demontimin e predhave dhe fishekëve e kryenin me mjete të zakonshme, si leva, pinca e sqeparë, ndërsa barutin e transportonin nëpër thasë, me karroca drejt kontenierëve. Ata sqaruan se nuk ishin të pajisur me veshje për t’u mbrojtur nga zjarri, si dhe se nuk u ishin nënshtruar trajnimeve specifike për kryerjen e asaj pune.

Pyetjet u përqëndruan tek vendodhja dhe mënyra e zjarrvënies. Disa prej dëshmitarëve të pranishëm në vendin dhe në momentin kur ra zjarri thanë se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejtë. Një prej tyre tha se zjarri kishte rënë në një prej karrocave ku ishin ngarkuar thasë me barut, ndërsa të tjerë thanë se kishin parë flakët dhe ishin larguar menjëherë.

Në përgjithe të pyetjeve, dëshmitarët deklaruan se kishin dijeni se karrocat që dëmtoheshin saldoheshin nga shtetasi , në shtëpinë e tij, që gjendet pranë vendit ku kryhej demontimi armëve. Megjithëse një prej dëshmitarëve deklaroi se kishte parë që një karrocë të ishte transportuar për saldim dhe të ishte kthyer pak kohë para shpërthimit, djali i Deliut deklaroi se i ati i merrte karrocat e dëmtuara në shtëpi në mbrëmje, kur edhe i saldonte dhe i kthente në mëngjes. Ai deklaroi se atë ditë, para shpërthimit, kishte qenë në kopshtin e shtëpisë duke punuar vreshtin dhe se babai nuk kishte shkuar për të salduar ndonjë karrocë.

Disa pjesë të deklarimeve të dëshmitarëve u kundërshtuan nga përfaqësuesit ligjorë të Mediut dhe prokurorit Braho, me argumentin se nuk ishin të njëjta me ato çfarë ata kishin deklaruar 15 vjet më parë, në funksion të çështjes së Gërdecit.

Gjyqtarja Irena Gjoka u tërhoqi vëmendjen avokatëve të Mediut për mënyrën e parashtrimit të disa prej pyetjeve drejtuar dëshmitarëve. Po ashtu, disa pyetje nuk i pranoi dhe u kërkoi dëshmitarëve të mos jepnin përgjigje.

Avokatët kërkuan në fillim të seancës të paraqesnin një kërkesë lidhur me dëshimtarët e thirrur prej tyre, por gjykata u kërkoi të dorëzonin kopjet me shkrim dhe të parashtrohet në seancën e radhës.

Në fund, pati diskutime mes gjykatës dhe avokatëve mbrojtës për caktimin e seancës së radhës.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre”.