ONM rekomandon ankimin e konfirmimit të prokurorit Saimir Hysa
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi të mërkurën më 18 tetor institucionin e Komisionerëve Publikë që të ushtrojnë ankim në Kolegj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Saimir Hysa.
Gjatë seancës dëgjimore më 7 gusht, Hysa u përball dhe dha shpjgime për gjetjet e Komisionit në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Tre ditë më vonë, më 10 gusht ai u konfirmua në detyrë, ndërkohë që dy çështje që kishte hetuar u transferuan për verifikim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Por, ONM nuk e gjen të drjetë vendimarrjen e KPK dhe kërkon parashtrimin e ankimit për shkaqe në kriterin e profesionalizmit dhe për pasurinë. Sipas ONM, problemet e ngritura në kriterin profesional, duket se tregojnë një model neglizhence, mosveprim, vonesa dhe shkelje të të drejtave të palëve nga ana e subjektit gjatë hetimit të çështjeve, madje edhe në rastet kur janë të një ndjeshmërie specifike ndaj opinionit publik. Po ashtu, kërkohet të vlerësohen si duhen çështjet që lidhen me asetet dhe ndikimin e tyre në procedurën e rivlerësimit, së bashku me mangësitë që lidhen me aftësitë profesionale. Në vfund të rekomandimit kërkohet gjithashtu që të merret parasysh çdo çështje e mundshme e ardhshme që mund të ndikojë në një vlerësim të përgjithshëm të subjektit të rivlerësimit.
Rekomandimet për profesionalizmin
ONM sjell në vëmendje të komisionerëve publikë gjetjet lidhur me denoncimin e kryer nga prindërit e një fëmije të sapolindur, të infektuar me virusin HIV, të cilët kanë ngritur pretendime edhe ndaj vendimarrjes së prokurorit Hysa për mosfillimin e hetimeve.
Në kallëzimin penal ata kanë pretenduar se përfaqësues të disa institucioneve të kujdesit shëndetësor kanë kryer veprime të kundërligjshme që konsistojnë në shpërdorim detyre dhe mjekim të pakujdesshëm ndaj foshnjës së tyre të porsalindur, të infektuar me HIV. Prindërit i kanë bashkangjitur kallëzimit të tyre penal disa analiza mjekësore.
Në muajin korik 2022 subjekti ka vendosur të mos fillojë procedimin penal, vendimarrje që është ankimuar nga prindërit në gjykatë, e cila ka urdhëruar fillimin e hetimeve. Por, vendimarrja e gjykatës është apeluar nga subjekti.
Sipas ONM, prindërit e të porsalindurit kanë paraqitur informacionin që ata e kanë konsideruar të duhur, duke përfshirë dhe analizat e gjakut të foshnjës së infektuar. “Është përgjegjësi e prokurorisë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për verifikimin e rrethanave të përmendura në kallëzimin penal ose mbledhjen e çdo shpjegimi apo informacioni nga prindërit apo personat e tjerë të përfshirë”, citohet në rekomandim.
Po ashtu, evidentohet se edhe pasi rrethanat dhe prania e elementeve të veprës penale u sqaruan në gjykatën e shkallës së parë, subjekti e apeloi vendimin, duke zvarritur në mënyrë të pajustifikueshme hetimin. “[…]Veçanërisht në një rast të ndjeshëm të infeksionit HIV që përfshin një kategori të caktuar shoqërore (të porsalindurin)”, vëren ONM.
Në një çështje tjetër. denoncuesi pretendon se prokuroria nuk ka hetuar për një periudhë të gjatë kohore lidhur me një kallëzim të kryer prej tij për vjedhje, mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. ONM konstaton se kallëzuesi është informuar pas kërkesave të shumta të tij, se çështja ishte pushuar ndërkohë që në vijim i është bërë me dije se dosja e tij kishte humbur dhe nuk mund të gjendej në arkivin e prokurorisë.
Një kallëzim penal ndaj Hysës për shpërdorim detyre dhe vjedhje apo humbje të dosjes hetimore, është rrëzuar nga Prokuroria e Durrësit.
Sipas ONM, hetimi ka zgjatur dy vjet duke tejkaluar afatin tre mujor, ndërsa nuk është e qartë nëse vendimet e shtyrjes i janë njoftuar kallëzuarsit gjatë viteve 2008-2010 kur është proceduar çështja e denoncuar prej tij.
Sipas ONM, pretendimet për humbjen e dosjes dhe mosinforimin e kallëzuesit për veprimet hetimore mund të vlerësoheshin vetëm nëse do të administrohej e gjithë dosja.
Lidhur me këtë çështje ONM konstaton se gjatë periudhës janar – korrik 2009 nuk është nxjerrë asnjë asnjë akt hetimor nga ana e subjektit. Edhe pas korrikut 2009, vetëm dy akte kanë dalë deri në shtator të 2009-ës, kur është pushuar hetimi. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka evidentuar apo shpjeguar bindshëm mungesën e hapave hetimor gjatë kësaj periudhe”, shprehet ONM.
Për aktet e paraqitura nga Hysa për të vërtetuar se njoftimi kallëzuesit ka ndodhur para muajit mars 2010, ONM vëren se ato nuk kanë lidhje me procedimin penal.
ONM e cilëson të pabazuar pretendimin e subjektit se nuk e ka hetuar të dyshuarin kryesor pasi ai ndodhej jashtë vendit. “[…]Të kesh një të dyshuar jashtë vendit nuk përbën një justifikim ligjor për të mos hetuar plotësisht një çështje penale”, vlerëson ONM.
Në vijim, në rekomandim konstatohet se subjekti nuk ka shpjeguar bindshëm lidhur me pretendimet e një denoncuesi, sipas të cilit prokurori Hysa është bërë shkak për zvarritjen e procesit duke mos u paraqitur në seancat gjyqësore. “Përkundrazi, veçanërisht për sa i përket pranisë në seanca dhe shkaqeve të shtyrjes, subjekti i rivlerësimit ka keqinterpretuar dokumentet që ai vetë ka paraqitur si prove”, shprehet ONM.
Për një çështje tjetër konstatohet se subjekti nuk ka paraqitur të dhëna konkrete që të vërtetonte se ka kryer hetim gjatë kohës që ka pasur të caktuar dosjen.
Për një tjetër dosje, konstaothet se Hysa ka mohuar të drejtën e fmailjarëve të një viktime për të kryer ankim për shkak të mungesës së shtyrjes së hetimeve. Edhe në këtë rast, ONM konstaton se emri i të dyshuarit nuk është regjistruar në procedimin penal duke qenë se ka qenë jashtë vendit.
Në një çështje për pastrim parash, në rekomandim thuhet se subjekti nuk ka dorëzuar dokumente të plota dhe se vendimi i mosfillimit është marrë jashtë afatit 15 ditor.
Pasuria
ONM vlerëson se subjekti nuk ka evudentuar mjaftueshëm të ardhurat e bashkëshortes gjatë viteve 1999-2004. Në vijim konstatohet se subjekti ka miratuar veprime fiktive të vëllait në lidhje me kontratat e shitjes së një apartamenti në 2005; se nuk ka zbuluar burimin e një automjeti të blerë në 2015-ën pasi nuk ka deklaruar një hua personale të marrë nga vëllai; si dhe se ka transaksione monetare me vëllanë, të pa evidentuara.
ONM kërkon që çështjet lidhur me kriterin pasuror, të vlerësohen së bashku me mangësitë profesionale.