Wed, Nov 27, 2024

“Bllokuam veten”: Serbët nga veriu kërkojnë shtyrje të afatit për riregjistrim në RKS

  • PublishedOctober 19, 2023

Nenadi nga Mitrovica e Veriut nget një veturë me targa KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe, së cilës ia ka rinovuar regjistrimin rreth gjashtë muaj më parë. Por, ai nuk mund ta përdorë atë për të lëvizur në jug të Ibrit dhe as për të shkuar në Serbi.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se e ka kufizuar lëvizjen e tij duke e zgjatur regjistrimin në sistemin serb dhe ka shtuar se i vjen keq që nuk i ka marrë me kohë targat RKS (Republika e Kosovës).

“Po prisja të shihja sa njerëz do të regjistroheshin (në targa RKS), dhe pastaj do të vendosja”, thotë Nenadi.

Targat KM lëshohen nga autoritetet serbe, dhe pas marrëveshjes me Kosovën në nëntor të vitit të kaluar, regjistrimi rinovohet në bazë të dekretit të Qeverisë së Serbisë, pa lëshuar fleta regjistrimi.

Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar veturën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.

Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.

Afati i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë ka skaduar në prill të këtij viti, por ende në terren ka një numër të madh të automjeteve me targa KM.

Çfarë do të ndodhë me targat KM?

Nenadi thotë se vendimi i tij për të rinovuar regjistrimin në targat KM ishte “i gabuar” dhe shton se tani, nëse do të krijohej një mundësi e tillë, ai do të merrte targat e Kosovës.

“Ajo periudhë e riregjistrimit (në sistemin e Kosovës) ishte e shkurtër, nuk ia dola. E mendova dhe në fund nuk arrita. Por tani dua ta bëj”, thotë ai.

Më 17 tetor, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani në një deklaratë për REL-in, ka thënë se qindra qytetarë kanë kërkuar shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë.
Për këtë arsye, një kërkesë e tillë i është përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Elshani ka thënë që presin që së shpejti të marrin një përgjigje pozitive.

Mirëpo, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a është duke u shqyrtuar një mundësi e tillë, si dhe sa vetura janë riregjistruar në targa RKS deri më tani.

Sipas disa vlerësimeve, deri në tetor të vitit të kaluar në komunat e veriut të Kosovës kanë qenë rreth 10 mijë vetura me targa KM.

Këtë lloj veture ende e drejton Miodragu nga Mitrovica e Veriut. Në një prononcim për REL-in, ai thotë se policia e Kosovës nuk u shkakton probleme kur qarkullojnë në katër komunat në veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok).

Se qytetarëve në veri me targa KM nuk u shqiptohet gjoba, e konfirmon edhe Veton Elshani nga Policia e Kosovës. Ai sqaron se çështja e targave është bërë “politike” dhe rikujton se procesi i riregjistrimit në RKS është pezulluar dhe se për këtë arsye targat KM, përfshirë ato me regjistrim të rinovuar pas nëntorit të vitit të kaluar, ende “tolerohen”.

Pse serbët refuzuan të marrin targa RKS?

Një nga arsyet pse pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës nuk iu përgjigjën riregjistrimit është edhe për shkak të “djegies së veturave me targa RKS”.

Këtë e konfirmon për REL-in edhe Miodragu nga Mitrovica e Veriut.

“Veturat e regjistruara në RKS janë djegur. Nuk doja që të më ndodhte kjo dhe pse nuk u riregjistrova. Asgjë nuk ka ndryshuar, por nuk kam zgjidhje dhe tani do të riregjistrohesha”, thotë ai.

Pak para skadimit të afatit për riregjistrim më 1 prill, dy vetura me targa RKS janë djegur në komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës. Në atë kohë është djegur edhe një veturë me targa të Beogradit.

Para kësaj, tri vetura me targa RKS në pronësi të serbëve u dogjën në veri të Mitrovicës dhe Zveçan më 31 mars dhe dy vetura në Zubin Potok më 30 mars.

Po ashtu, edhe në veri të Kosovës është zhvilluar një fushatë kundër riregjistrimit të targave RKS me sloganin “Jo dorëzim, KM mbetet”. Këtë slogan në deklaratat e tyre e kanë përdorur edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bëri të njëjtën gjë.

“Përgjigja ime është jo dorëzim, do ta përsëris, jo dorëzim. Dëshironi edhe një herë? Nuk ka dorëzim, KM mbetet”, u tha ai gazetarëve në një konferencë më 27 tetor të vitit të kaluar.

A është riregjistrimi zgjidhja përfundimtare?

Igor Markoviq nga organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica Veriore nuk befasohet nga informacionet se qindra serbë kanë kërkuar nga policia e Kosovës që të shtyhet afati për riregjistrim në targa RKS.

Ai shpreh besimin se ky proces do të zhvillohet “pa u vërejtur”, dhe se nuk do të ketë marrëveshje të reja për këtë çështje në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës do të jetë e mendimit se ky proces është i pashmangshëm dhe se duhet të kryhet në përputhje me udhëzimet administrative të dhëna më herët lidhur me riregjistrimin”, beson ai.

REL-i i është drejtuar BE-së për çështjen e targave, gjegjësisht nëse palët do ta rinegociojnë këtë çështje apo jo, por nuk ka marrë përgjigje. BE-ja ka kërkuar më parë nga Kosova dhe Serbia që të respektojnë marrëveshjen nga nëntori i vitit të kaluar deri në arritjen e “zgjidhjes përfundimtare”.

Igor Markoviq thekson se dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës për shkak të targave çoi në një sërë ngjarjesh që kontribuan në rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare aktualisht është e fokusuar në “shtensionimin e situatës” dhe jo në targa.

Kriza në veri të Kosovës për shkak të targave KM

Në shtator të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ngriti çështjen e heqjes së targave KM në veri të Kosovës.

Pikërisht atëherë janë lëshuar të ashtuquajturat targa testuese gjatë hyrjes në territorin e Kosovës për të gjitha automjetet me regjistrim serb. Ishte një “masë reciproke” sepse lëshimi i targave testuese ka qenë praktikë e kahershme në Serbi për tabelat RKS.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, serbët në veri të Kosovës vendosën barrikada, por me ndihmën e Bashkimit Evropian u arrit një marrëveshje – vendosja e letrave ngjitëse të bardha mbi simbolet shtetërore si për targat e Serbisë ashtu edhe për ato të Kosovën. Kjo ende është në fuqi, përfshirë edhe targat KM.

Më pas, në fund të qershorit 2022, Qeveria e Kosovës mori vendim për riregjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia me akronimet për qytetet e Kosovës, si KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtinë), GL (Gjilan), UR (Ferizaj) e kështu me radhë.

Me këtë vendim po ashtu parashihej që për personat me letërnjoftime serbe të lëshohet dokumenti hyrës/dalës, që ishte edhe masë reciproke ndaj Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, më 31 korrik, serbët ngritën sërish barrikada, të cilat megjithatë u hoqën një ditë më vonë për shkak se Kosova pranoi ta shtyjë zbatimin e tyre për 30 ditë.

Ndërkohë, në fund të gushtit, Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje për dokumentet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Serbia ka pranuar që të heqë dokumentet shtesë për hyrje/dalje për mbajtësit e letërnjoftimeve nga Kosova, ndërsa Kosova është pajtuar që të mos i përdor ato për mbajtësit e letërnjoftimeve nga Serbia.

*Video nga arkivi: Kosova dhe Serbia pa dokumente shtesë në kufi

Për shkak të kësaj, në fillim të nëntorit serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, dhe pas drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS, është pezulluar. Më pas Gjuriqit iu dha “Urdhri i Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Shkallës së Parë” nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, më 23 nëntor 2022, Prishtina dhe Beogradi sërish arritën një marrëveshje në kuadër të dialogut, e cila parasheh që Serbia të ndalojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Kosova procesin e riregjistrimit.

Megjithatë, të dy palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Kështu, autoritetet kosovare aktualisht po “tolerojnë” lëvizjen e automjeteve me targa KM nëpër komunat në veri, të cilat janë të regjistruara në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes në nëntor të vitit 2022.

Mirëpo, me këto targa nuk mund të kalohet vendkalimi kufitar dhe mbetet të shihet nëse do të lejohet një afat tjetër për riregjistrimin e tyre në targa RKS.

Në jug të Ibrit, targat e Serbisë u hoqën dhjetë vjet më parë në bazë të marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.