Sun, Nov 17, 2024

70-vjeçari u vra dhe u hodh në kanal, flasin dhëndri dhe fqinjët e viktimës: Ishte rob zoti

  • PublishedOctober 20, 2023

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Shkodër. Musa Bajraktari 69 vjeç, u qëllua për vdekje me sëpatë nga fqinji i tij 60-vjeçar, Xhemal Zeqiri. Ky i fundit ka rënë në pranga ndërsa uniformat blu dyshojnë se pas krimit qëndron një konflikt për motive të dobëta.

Trupi i pajetë i Musa Bajraktarit u gjet një ditë më parë në një kanal, disa metra larg shtëpisë ku ai jetonte, në Postribë. Fqinjët kanë gjetur trupin e më pas kanë njoftuar policinë. Fillimisht është menduar vdekje me shkaqe natyrale, por nga hetimet e kryera prej ekspertëve të kriminalistikës janë konstatuar shenjat e dhunës. Banorët e zonës shprehen të tronditur për ngjarjen e rëndë.

“As alkool nuk pinte, nuk dinim të kishte ndonjë problem. Nuk e besoj dot këtë që ka ndodhur. Dy ditë më parë e pashë të kalonte këtu, me aq sa e kemi njohur ka qenë rob Zoti, asnjë problem” tha njëri nga banorët.

Për mediat foli edhe dhëndri i viktimës. “Si ka ndodhur nuk e dimë, a ka qenë momentale a kanë pasur më përpara. Nuk kemi pasur dijeni. Nuk kam informacion për momentin, se për cfarë nuk e dimë. Nuk e njoh personin tjetër. Babai i gruas teme ka qenë familjar, i qetë, shihte punën e vet, familjen e vet. As familjarët nuk dinë gjë. Ai ka dalë prej shtëpie me çuar një material, i ka dalë para dhe se ca ka ndodh. Nuk e njoh shumë. Policia e ka zbuluar” ka thënë ai.

AlbaniaWeb.net