Thu, Nov 14, 2024

Zef Preçi: Kohë kullash dhe kullaxhinjsh…

  • PublishedOctober 21, 2023

Kohë kullash dhe kullax hinjsh”, mund të quhet pa thonjëza koha kur në jetojmë. Sepse kullat në thelb realizojnë shumë qëllime njëherësh, që ia vlen të analizohen pak më me hollësi. Në dimensionin publicistik, ndërtimi i kullave të larta krijon imazhin e vendit që po zhvillohet dmth., vlejnë për sytë e të huajve kryesisht europianë, që vizitojnë vendin, duke iu ofruar nj “menu” edhe emra arkitektësh të mëdhenj, shumica e të cilëve e njohin Shqipërinë nga “Google Map”, por prej saj vjelin fitime të majme nga paratë publike dhe të bizneseve duke shitur emrin e vet dhe nga partneriteti me qeverinë.

Në aspektin financiar, kullat ndihmojmë që të sigurohen të ardhura të konsiderueshme për Bashkinë e Tiranës, në kurriz të infrastrukturës së përbashkët, që vetëm rëndohet dhe përkeqësohet për shkak të këtyre ndërtimeve. Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës, ashtu si qeveria, me paratë e grumbulluara, ushqen propagandën ulëritëse mbi “të mirat” e kullave duke u bërë vetë edhe më hermetike.

Prej vitit 2018 ky institucion, në kundërshtim me ligjin, nuk publikon më asnjë raport monitorimi mbi ndotjen mjedisore, ndonëse burimet dhe mjetet për këtë qëllim ekzistojnë dhe informacione të besueshme konfirmojnë se të dhënat mblidhen, por për arsye të kuptueshme nuk bëhen publike. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, sepse ndotja është të paktën 4 herë më e lartë se në zonat më të ndotura industriale të Londrës… Në aspektin e interesave okulte të krimit të organizuar, kullat shërbejnë si mundësi gjigante për pastrimin e parave që gjenerohen nga veprimtaritë e paligjshme jashtë vendit dhe nga korrupsioni i zyrtarëve brenda tij.

Ka evidenca të besueshme se “djajve ju ka dalë frika” dmth., deri edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë leje ndërtimi për kulla u janë dhënë edhe kompanive të zotëruara nga persona me rekorde kriminale, se në mënyrë të tërthortë kjo ndodh prej shumë vitesh. Ndërsa investimet në ndërtim të parave me origjinë aferat korruptive me fondet buxhetore dhe pasuritë publike janë një fenomen edhe më i vjetër, ndoshta sa vetë tranzicioni që nuk po njeh fund. Këtë e konfirmojnë edhe hetimet e zbardhura dhe ato në proces të SPAK-ut për disa zyrtarë të lartë, të dyshuar për përfshirje në aferat e mëdha korruptive që ky institucion po heton.

Në aspektin institucional, ndërtimi në tërësi dhe kullat në veçanti janë edhe prova më e mirë se amnistia fiskale, me dhe pa konsensusin e ndërkombëtarëve, me “një sy qorr dhe në vesh shurdhër të Bankës së Shqipërisë dhe agjencive ligjezbatuese përgjegjëse në këtë sektor po jep efektet e veta, si ishte parashikuar nga ideatorët dhe realizatorët e kësaj “reforme”. Të dhënat zyrtare të INSTAT dëshmojnë se ndërtimi është sektori i vetëm që po lulëzon, ndërsa blerësit po pakësohen dhe popullsia po pakësohet ditë mbas dite. Ndërsa bujqësia, blegtoria, transporti, tregtia, importi dhe eksporti të marrë së bashku po njohin rënie dhe ditë përherë e më të vështira…

Në aspektin procedural, furia e sulmit të oligarkisë ndaj pasurive të patundshme publike dhe private me mbështetjen institucionale të qeverisë për t’u hapur rrugën kullave dhe investimeve “strategjike”, sidomos në zonat më preferenciale në Tiranë dhe në bregdet ka marrë një hov të ri së bashku me mandatin e tretë të maxhorancës aktuale, aq sa nuk mjaftojnë vendimmarrjet skandaloze përmes të cilave qeveria pezulloi pak vite më parë zbatimin e një ligji (ligji 7501 i vitit 1991), dhe kështu në emër të “zhvillimit” shkel mbi prona e pronarë, duke i shpronësuar këta të fundit dhe duke ua dhënë përsëri në emër të “zhvillimit” klientëve të saj, investitorëve “strategjike”…

Në fakt, këta fundit, në mbi 95% të rasteve janë biznesmenë vendës dhe përgjithësisht përfaqësojnë konglomerate sipërmarrjesh e kompani guaskë me përfshirjen e zyrtarëve të lartë e politikanëve vendimmarrës të lidhur me ta. Në këtë optikë mund dhe duhet të lexohen edhe vendimmarrjet tejet të dyshuara si korruptive për rindërtimin në Tiranë, Durrës etj., mbas tërmetit të vitit 2019, por edhe demolimi (shkatërrimi) në proces i një numri pallatesh dhe banesash private me status të ndryshëm juridik (informale, në legalizimi, të legalizuara apo me pronësi të rregullt), disa edhe me numër të madh katesh dhe jo shumë të vjetra në Tiranë, përsëri në emër të “zhvillimit”…

Në aspektin makroekonomik, siç vërente me të drejtë ekonomisti i njohur Azmi Stringa pak ditë më parë, ndjekja i këtij kursi nuk mund të mos çojë drejt shpërthimit të flluskës së ndërtimit me të gjitha pasojat imagjinueshme dhe të paimagjinueshme të saj. Gjithashtu, sikurse vërente jo pa shqetësim qytetar edhe analisti i njohur i çështjeve të ekonomisë, Klodian Tomorri, në portalin e tij, kjo që po ndodh me kullat nuk është vetëm urbanicid (vrasje e jetës dhe infrastrukturës komunitare urbane) që nuk po nuk ndalet, por edhe ekonomicid (vrasje e mundësive për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit). Për fat të keq, përveçse këto investime po tërheqin drejt vetes edhe bankat si pjesë e financimeve në sektorin e ndërtimit, vihet re edhe një angazhim me fonde i pamenduar i qeverisë dhe larg nevojave të biznesit dhe të qytetarëve, dmth., larg përparësive të shpallura që lidhen në çeljen e vendeve të reja të punës, nxitjen dhe mbështetjen e biznesit si rrugë që dekurajon braktisjen e vendit etj..

Për këtë mjafton të kujtojmë faktin se rreth 96% (më shumë se 440 milionë euro) e fondeve që do të rishpërndahen nga buxheti i shtetit (rreth 460 milionë euro), fonde të grumbulluara kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve (përndryshe përmes varfërimit të mëtejshëm të qytetarëve) është destinuar nga qeveria për financimin e projekteve të infrastrukturës publike (përndryshe për t’u ndarë me klientët e saj të PPP-ve etj,. uria e të cilëve për para vetëm rritet e rritet). Sigurisht që propaganda zyrtare këtë akt normativ do ta paketojë me synimin për “përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike”.

Meqë jemi te rritja ekonomike: shifrat vërtet do të rriten në këtë mënyrë, por vende pune të reja nuk do të hapen, pagat dhe pensionet (për rrjedhojë edhe konsumi) nuk do të rriten, arsimi dhe shëndetësia nuk do të përmirësohen, etj.. Përveç qëllimeve të biznesit, kullat formësojnë fytyrën e qeverisjes jo vetëm përballë të huajve, por edhe përballë historisë, gjë që edhe është bërë publike rast pas rasti… Dmth., për disa ideatorë të kësaj rrumpalle ndërtimore do të jetë kënaqësi që pasardhësit ta quajnë Tiranën “kryeqytet të kullave”, të paktën kështu ëndërrojnë “kullaxhinjtë e sotëm”…

E megjithatë, është një pyetje, së cilës askush nga zyrtarët e lartë politikë dhe vendimmarrës dhe kreu i bashkisë nuk mund t’i shmangen kollaj: Nëse në Tiranën e mbingarkuar me kulla dhe ndërtime, me një transport publik dhe ndotje ambientale skandaloze prej vitesh, si shpjegohet që shumica prej jush keni marrë arratinë dhe banoni larg në kodrat e malet përreth dhe nuk jetoni në kryeqytetin tip Kandahar, që iu keni ofruar qytetarëve qyqarë? Mendja ta do, që nëse do të ishte kaq mirë sa ç’thoni, do të kishit jetuar këtu edhe ju dhe jo vetëm të shfaqeshit në videot propagandistike 3D “live” në 10 stacione televizive njëherësh, ndërsa askush nuk e di me saktësi se vendndodhjen tuaj në kohë reale…

AlbaniaWeb.net