Sat, Nov 16, 2024

Izraeli: Qytetarët tanë largohen urgjentisht nga Egjipti dhe Jordania

  • PublishedOctober 21, 2023

Izraeli u ka bërë thirrje qytetarëve të vet të largohen menjëherë nga Egjipti dhe Jordania, tha Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit të shtunën, pasi tensionet rajonale janë rritur jashtëzakonisht shumë si pasojë e luftës në Gazë.

“Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit i ka rritur në nivelin e katërt [të kërcënimit] paralajmërimet për ata që udhëtojnë për Egjipt (përfshirë Sinai) dhe Jordani: kërkohet të mos udhëtohet drejt atyre vendeve dhe ata që ndodhen atje të largohen…sa më shpejt,” thuhet në komunikatën për media të Këshillit.

Ky njoftim vjen vetëm pak ditë pasi Izraeli i tërhoqi diplomatët e vet nga Turqia si masë parandaluese, pas një kërkesë të mëparshme përmes të cilës iu kërkoi qytetarëve po ashtu të largoheshin.

Këto thirrje vijnë në një kohë protestash të mëdha nëpër Lindjen e Mesme kundër bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Lufta u ndez pasi militantët e Hamasit e kryen një sulm të tërbuar në disa qytete jugore të Izraelit, ku ishin futur nga Rripi i Gazës, duke i marrë me vete rreth 200 pengje dhe duke i vrarë më shumë se 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelit.

Si pasojë, Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, si dhe e nisi një fushatë bombardimesh si kundërpërgjigje, duke i rrafshuar blloqet banesore në Gaza dhe duke i vrarë mbi 4.100 palestinezë, kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që udhëhiqet nga Hamasi./REL

AlbaniaWeb.net