Mon, Nov 18, 2024

SPAK: Berisha bëri ligje kastile dhe vuri shtetin në dispozicion të dhëndrit

  • PublishedOctober 22, 2023

“5Pyetjet.al” publikon pjesë nga dosja dhe dokumentet e Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që arrestuan dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe vendosën masën e detyrimit të paraqitjes për ish-kryeministrin Berisha dhe pengimin e largimit të tij jashtë vendit.

Sali Berisha është vënë nën akuzë nga SPAK lidhur çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”, ndërsa në pranga është vënë dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.  Së bashku me ta, në masën detyrim paraqitje është lënë dhe Fatmir Bekteshi, ortak me Malltezin.

Në vendimin e nënshkruar nga gjykatësja Irena Gjoka, shkruhet se Jamarbër Malltezi dyshohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash.

Por çfarë ka bërë Berisha sipas SPAK-ut?

Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.

Nga ana e shtetasit Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi bashkëshorti i vajzës së tij.

Nga ana e shtetasit Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

AlbaniaWeb.net