Vuçiç: Qëllimi i Perëndimit është që Serbia të njohë Kosovën, dialogu javën e ardhshme
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të dielën se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i javës së ardhshme në Bruksel.
Vuçiçi i bëri këto deklarata gjatë një adresimi publik në televizionin Pink mëngjesin e së dielës, një ditë pasi u takua në Beograd me pesë diplomatët perëndimorë.
Ai e përsëriti se takimi i djeshëm ishte “i vështirë” për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi.
“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën,” tha Vuçiç.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se tentoi ta “aneksojë veriun e Kosovës” kur një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pas takimit me Vuçiçin, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, e përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht, si dhe i kërkoi Serbisë të bashkëpunojë në këtë çështje.
Diplomatët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, dhe presidentin serb Vuçiç në Beograd, që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Lajçak tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë./REL