Fri, Sep 20, 2024

Përpjekjeje për çaktivizimin e motorëve, avioni devijon drejtim

  • PublishedOctober 23, 2023

Një avion i linjës ‘Alaska Airlines’, i cili po udhëtonte drejt San Franciskos, u detyrua të ndërrojë drejtim duke u ulur në Portland të Oregonit, pas një tentative për çaktivizimin e motorëve të tij. Incidenti u shkaktua nga një pilot, i cili kishte mbaruar detyrën dhe ndodhej në një nga sediljet, pranë kabinës së pilotit.

Sipas njoftimeve zyrtare, ditën e dielë, piloti i fluturimit 2059 i ‘Alaska Airlines’ që operohet nga ‘Horizon Air’, kërkoi devijimin e avionit, duke njoftuar mbi një situatë që kërcënonte sigurinë e avionit.

Agjencia ‘Reuters’ duke iu referuar një njoftimi të Administratës Federale të Aviacionit, bëri të ditur se individi, kërkoi të çaktivizonte motorët, duke aktivizuar sistemin e shuarjes së zjarrit.

Në njoftim thuhej se ekuipazhi i avionit ia doli ta bllokojë atë e ta mbante sa më larg kabinës së pilotit. Sipas autoriteteve të linjës ajrore ‘Alaska Airlines’, motorët nuk u çaktivizuan në asnjë moment.

Dyzet e katërvjeçari Joseph David Emerson, përballet me 83 akuza për tentativë për vrasje dhe rrezikim të një aeroplani.

Sipas të dhënave Joseph David Emerson është një pilot i çertifikuar i cili një muaj më parë kishte kryer të gjitha testet mjekësore për vazhdimin normal të punës.

Administrata Federale e Aviacionit bëri të ditur në një njoftim të veçantë të hënën se incidenti “nuk ishte i lidhur në asnjë mënyrë apo formë me ngjarjet aktuale botërore”, por shtoi se “në të gjitha raste duhet ruajtur vigjilenca”./VOA

AlbaniaWeb.net