Kurti pranon planin e ri të BE-së për Asociacionin
Qeveria e Kosovës mësohet se ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar të shtunën nga diplomatët perëndimorë për liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar për KOHËN se kanë bërë një “propozim modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tani presin nga palët që për këtë, por edhe për të gjitha çështjet e tjera nga obligimet e dialogut, të “veprojnë shpejt”.
Qeveria e Kosovës kanë thënë se kryeministri Kurti është pajtuar që plani i ri i BE-së, ku përfshihet edhe një pako për zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate.
“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për KOHËN.
Kurti pritet nesër të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Takime të ngjashme pritet të ketë edhe për Vuçiçin.