Sat, Nov 30, 2024

Lufta në Izrael, SHBA plane për evakuimin e amerikanëve rast përshkallëzimi të situatës

  • PublishedOctober 25, 2023

Shtëpia e Bardhë tha të martën se po hartonte një plan të kujdesshëm në rast emergjence për evakuimin e amerikanëve nga Lindja e Mesme nëse lufta mes Izraelit dhe Hamasit zgjerohet në një konflikt të madh rajonal.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, theksoi se aktualisht nuk ka “përpjekje aktive” për të evakuuar amerikanët nga rajoni përveçse fluturimet nga Izraeli që vuri në funksionim qeveria amerikane në fillim të këtij muaji.

“Do të ishte e pakujdesshme dhe e papërgjegjshme nëse nuk do të kishim njerëz që mendojnë për një gamë të gjerë të papriturash dhe mundësish”, tha zoti Kirby. “Sigurisht që evakuimet janë një nga ato gjëra”.

Shtëpia e Bardhë foli për planet e emergjencës mes shqetësimeve në rritje se lufta 18-ditore Izrael-Hamas mund të përshkallëzohet më tej.

Uashingtoni e ka këshilluar Izraelin se shtyrja e një pushtimi të mundshëm tokësor të Gazës mund të jetë e dobishme ndërsa SHBA-të dhe partnerët e tjerë në rajon përpiqen të sigurojnë lirimin e më shumë se 200 pengjeve të marra nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit. Për planin në fjalë u raportua fillimisht nga gazeta “The Washington Post”.

Presidenti Joe Biden dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman biseduan të martën në telefon lidhur me situatën e përkeqësuar. Kjo ishte biseda e parë mes dy udhëheqësve që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit. Ata folën mbi “përpjekjet për të penguar aktorët shtetërorë dhe jo shtetërore nga zgjerimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden e kanë paralajmëruar vazhdimisht Iranin që të mos përfshihet në konflikt./VOA

 

AlbaniaWeb.net