Thu, Nov 28, 2024

Zv.drejtorin e policisë italiane në Tiranë: As në SHBA nuk kemi një zyrë kaq të madhe sa në Shqipëri

  • PublishedOctober 25, 2023

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Italisë Prefekti Vittorio Rizzi ndodhet në Shqipëri dhe është pritur në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullku dhe drejtues të tjerë të lartë.

Takimi u fokusua në rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimeve të tjera, në goditjen e grupeve kriminale që operojnë në të dyja vendet dhe në kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

“Modeli i bashkëpunimit dypalësh që ekziston aktualisht mes Shqipërisë dhe Italisë mund të konsiderohet një ndër shembujt më të mirë të bashkëpunimit dypalësh, që nuk e kemi me asnjë vend tjetër.

Kujtoj pak vite më parë polemikat që vinin nga fakti që kishte shumë kanabis që prodhohej në Shqipëri dhe transportohej në Europën Perëndimore. Falë bashkëpunimit që ne kemi patur vitet e fundit, mund të themi që kjo problematikë është reduktuar ndjeshëm.

As në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi një zyrë kaq të madhe sa në Shqipëri. Edhe vetë misioni i Guardia di Finanza-s financohet nga Departamenti i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme,” tha ndër të tjera Rizzi.

Ndërsa Rrumbullaku u shpreh se: “Bashkëpunimi mes Policisë shqiptare dhe Policisë italiane është një bashkëpunim mbi baza besueshmërie, që është fituar me punë konkrete në drejtim të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Midis dy policive nuk ka barriera, as filtra, bashkëpunohet në nivel drejtues dhe në nivel operacional. Rol të veçantë në këtë bashkëpunim ka zyra e Interforcës italiane në Shqipëri.

AlbaniaWeb.net