Thu, Nov 28, 2024

Çështja e Nagorno-Karabakut dhe marrëdhëniet Armeni-Turqi

  • PublishedOctober 25, 2023

Rimarrja nga Azerbajxhani e enklavës së Nagorno-Karabakut, e cila kontrollohej nga banorët armenë mund të çojë në rihapjen e kufirit të Turqisë me Armeninë pas më shumë se 30 vjetësh.

Por, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit e Amerikës Dorian Jones, Rusia mund ta dëmtojë këtë përpjekje.

Turqia mbylli kufirin e saj me Armeninë në vitin 1993, pasi armenët pushtuan enklavën e debatueshme të Nagorno-Karabakut nga aleati i ngushtë i Turqisë, Azerbajxhani.

Pasi forcat e Azerbajxhanit rimorën enklavën muajin e kaluar, disa analistë thonë se ekziston një mundësi për t’i dhënë fund embargos së Turqisë, që ka dëmtuar ekonominë e Armenisë dhe e ka detyruar atë të mbështetet në Rusinë fqinje.

“Turqia mund të luajë një rol shumë pozitiv për zhvillimin ekonomik të Armenisë. Armenët duhet të bëjnë një zgjedhje midis varfërisë dhe begatisë. Qëndrimi konfrontues mund të rrisë më tej varfërinë, ndërsa angazhimi begatinë,” thotë Huseyin Bagci nga Instituti i Politikës së Jashtme.

Në një shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve, Ankaraja hapi kufirin e saj për të lejuar ndihmën armene pas tërmeteve vdekjeprurëse të shkurtit në Turqi.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan pas fitores në zgjedhjet e majit.

Për të rihapur kufirin armen, Ankaraja kërkon që Jerevani të njohë kufirin turk dhe të arrijë një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin.

Disa analistë thonë se Jerevani është gati për një marrëveshje pasi synon të shkëputet nga ndikimi i Rusisë. Përfundimi i luftës në Nagorno-Karabak është një hap i madh në këtë drejtim./VOA

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net