Ushqimet që Përkeqësojnë Ndjeshëm Simptomat e Diarresë
Jashtëqitja është treguesi kryesor i jashtëm i shëndetit dhe tretjes.
Falë saj, njeriu mund të mësojë nëse vuan nga një infeksion, problem me tretjen apo edhe shenjat fillestare të kancerit.
Një nga problemet më të rëndomta me jashtëqitjen është diarrea, e cila ndodh kur mbetjet ushqimore kalojnë nëpër zorrën e trashë më shpejt seç duhet.
Tek të rriturit, diarrea nuk shkakton probleme madhore por në rastin e fëmijëve, ajo mund të jetë fatale për shkak të humbjes masive të lëngjeve.
Për shembull, në rastin e diarresë si pasojë e një infeksioni, njeriu mund të humbasë deri në 20 litra lëngje në ditë.
Rregulli i artë i jashtëqitjes sipas ekspertëve është që nuk duhet të kalojnë tre ditë pa dalë jashtë dhe njeriu nuk duhet të nxjerrë mbetje ushqimore më tepër se tre herë në ditë.
BOPB- Regjimi i Duhur Për Largimin e Diaresë
BOPB është një term përmbledhës për : bananen, orizin, purenë e mollës dhe bukën e thekur, si katërshja e duhur për të mbledhur stomakun dhe trajtuar diarrenë në ditën e parë.
Megjithatë, këto ushqime janë të vakët në aspekt ushqyesish sepse për rikthimin e situatës në normalitet, organizmi ka nevojë edhe për proteinë apo yndyrë.
A Duhen Shmangur Ushqimet Me Yndyrë Kur Vuani Nga Diarrea?
Ushqimet e skuqura dhe me yndyrë kanë tendencën të përkeqësojnë diarrenë nëse konsumohen pa kriter.
Por nëse konsumoni sasinë minimale të yndyrës, tretja e saj do të zbusë simptomat shoqëruese të diarresë.
Mjaftojnë gjysmë luge çaji gjalpë, pak mish ose një lugë çaji majonezë në vaktin e rradhës që simptomat e diarresë të zbuten.
Barnat Që Shkaktojnë Diarre
Ekspertët e AgroWeb.org thonë se diarrea mund të jetë efekt anësor i përdorimit të medikamenteve si:
- Ato për trajtimin e kancerit
- Barnat kundër depresionit
- Ilaçet e diabetit
- Ilaçet kundër tensionit të lartë të gjakut.
- Antibiotikët
Të Ëmblat Përkeqësojnë Diarrenë
Pijet e sheqerosura, madje edhe sheqernat që gjenden tek frutat, kanë tendencën të përkeqësojnë diarrenë.
Kjo ndodh sepse gjatë tretjes, sheqeri mbledh lëngje në zorrë duke holluar jashtëqitjen.
Mos Pini Kafe Nëse Vuani Nga Diarrea
Kafeina tek kafeja, çaji, pijet energjike apo çokollata nuk e lë zorrën të qetë.
Kafeina shërben si stimulues të zorrës së trashë duke nxitur shkarkimin e menjëhershëm të saj.
Kjo është arsyeja përse nëse keni problem me diarrenë, frenohuni nga dëshira për kafe.
A Bën Mirë Kosi Kundër Diarresë?
Kosi, sipas ekspertëve, mundet t’ju ndihmojë në zhdukjen e shpejtë të këtij problemi, për shkak se kosi, ai i shtëpisë, përmban baktere të gjalla siç janë Laktobacilet, të cilat mbledhin stomakun dhe përmirësojnë tretjen.
Kosi është veçanërisht i dobishëm nëse diarrea shkaktohet nga antibiotikët./AgroWeb.org