Gjykata Kushtetuese kalon për gjykim çështjen e Fredi Belerit
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur më 23 tetor të kalojë në seancë plenare për shqyrtim mbi bazë të dokumenteve, çështjen që ka të bëjë me kërkimin e Alfred Belerit për shfuqizimin e si antikushtetues të vendimarrjes së Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë dhe vendimeve të Gjykatave të Posaçme të të dyja shkallëve, që e kanë lënë në burg.
I zgjedhuri në zgjedhjet vendore të 14 majit si kryetar i Bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Beleri, u arrestua dy ditë para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia.
Gjykata Kushtetuese sqaroi se akualisht nuk ka ende një datë seance lidhur me këtë çështje, por shtoi se kur të caktohet do të njoftohet në faqen zyrtare.
Në seancën e fundit gjyqësore të zhvilluar të martën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, avokatët e Belerit paraqitën kërkesa për pavlefshmëri të kërkesës për gjykim të SPAK, akteve në dosje, si dhe të urdhërit të Prokurorisë së Vlorës për hetimet e kryera, duke pretenduar se ato ishin kryer në kundërshtim me ligjin dhe procedurat. Por, kërkesat e Belerit u rrëzuan nga trupi gjykues pasi u vlerësuan të pabazuara.